Zyra e Prokurorit Special në Prishtinë ka ngritur aktakuzën e tretë kundër të dyshuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, politikanit serb në Kosovë ka thënë avokatja Jovana Filipoviq.
Aktakuza e re akuzon për këtë vrasje Nedeljko Spasojeviq, Marko Rosiq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.
Avoktaja e Arsoviq, Jovana Filipoviq i tha portalit Kossev se seanca e parë për aktakuzën e re është caktuar më 4 dhjetor, raporton Gazeta Express.
Ajo tha se dy personat e ri të dyshuar në aktakuzë akuzohen se janë anëtarë një grupi të organizuar kriminal por që nuk është bërë i ditur emri.
Në të njëjtën kohë, polici Nedeljko Spasojeviq tani është akuzuar për transportimin e kryesve të vrasjes me një veturë zyrtare ka thënë avokatja.
Të pandehurit në aktakuzën e re nuk akuzohen më për “ndihmë dhe nxitje të vrasjes së rëndë”, por akuzohen për vrasje të rëndë, thotë ajo.
“Ata hoqën dorë nga neni 33, i cili i referohet ndihmës për të kryer një krim, dhe tani vetëm vrasja e rëndë mbetet në fuqi. Tani ata karakterizohen si autorë, dhe jo si persona që ndihmuan autorët,” shtoi avokatja.