Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka lëshuar licencat e operimit afatgjatë për dy hidrocentralet e Kelkosit, përkundër se ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka deklaruar po sot se kjo kompani nuk i plotëson ende kushtet mjedisore për të funksionuar.
Përfaqësuesi ligjor nga ZRRE-ja, Afrim Ajvazi, ka thënë se kompania Kelkos i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe duhet t’i lëshohet leja afatgjate për operim për dy hidrocentrale, Deçani dhe Belaje.
“Ne kemi propozuar që t’i lëshohet licenca për Deçan dhe Belaje, licencë afatgjate. Me sjelljen e lejes mjedisore janë plotësuar të gjitha kërkesat për lëshimin e lejes afatgjate. Ne si departament ligjor propozojmë që t’i lëshohet leje afatgjate”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se do të monitorojnë punën e kompanisë dhe licencës.
Vendimi është miratuar me tri vota për një kundër, ndërkaq leja është dhënë për 40 vjet
Nga ana tjetër, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka mohuar se kompanisë Kelkos i është dhënë leje për operim të hidrocentraleve në Bjeshkët e Deçanit.
Ai ka thënë se kjo kompani është në proces, porse ende nuk i ka plotësuar kushtet.
Kuçi ka shtuar se leja do t’i jepet pasi t’i plotësoj kushtet.
“Gjithçka që ka qenë një procedura e është ligjore, Kelkos jo sepse është në proces, ka pas me i plotësu disa kushte por ende nuk i kemi dhënë leje mjedisore. Kjo temë nuk është e mëngjesit sepse duhet me i pyet mekanizmat shtetëror që i kemi, në moment që i plotëson të gjitha kushtet ne i japim leje, por deri tash nuk i ka plotësuar”, ka thënë ai.