Masat e paralajmëruara që mund të futen nesër në fuqi, duket se do të dështojnë. Kjo pasi nuk ka unitet në Qeveri.
Mediat raportojnë se brenda Qeverisë së Kosovës nuk ka pajtim për masat e propozuara nga Ministria e Shëndetësisë, shkruan Reporteri.net.
Votimi i këtyre masave është paraparë të ndodhte sontë në mbledhjen online të Qeverisë, mirëpo propozimi hasi në rezistencë tek disa minsitra. Disa prej tyre, mësohet se janë kundër asaj që është propozuar.
Kështu, raportohet se vendimi për masat e reja është shtyer për t’u diskutuar edhe nesër, kur pritet të vendoset përfundimisht.
Sic u tha gjatë ditës nga ministri Zemaj pas takimit me kryetarët e komunave, janë propozuar tri shkallë që më pas përcaktojnë masat në komuna.
Në listën e gjelbër janë komunat me pak dhe aty do të punojnë bizneset më gjatë; në listën e verdhë janë komunat mesatarisht të prekura, dhe bizneset do të punojnë më pak; ndërkaq në listën e kuqe janë komunat me numër të lartë të të infektuarve, të cilat do të futen në karantinë.
E kjo ide, përvec ministrave, u kundërshtua edhe nga disa kryetarë komunash, sic është Shpend Ahmeti. Ai ka kritikuar kriterin e numrit të të infektuarve për caktimin e ngjyrës, pasi sipas Ahmetit, Prishtina ka shumë banorë dhe nuk mund të përdoret kriteri i njëjtë.