Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, ka tënë se ai ka nënshkruar një marrëveshje me udhëheqësit e Azerbajxhanit dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit ushtarak për rajonin e Nagorno-Karabakut që nga mëngjesi i hershëm i së martës pas rreth gjashtë javëve gjakderdhje.
Deklarata e shefit të qeverisë armene erdhi rreth një muaj e gjysmë pas fillimit të konfliktit më 27 shtator dhe pas avancimit në terren të forcave azere. Zyrtarët në kryeqytetin azer, Baku, të hënën thanë se kanë marrë nën kontroll dhjetëra vendbanime pasi e shpallën fitoren në qytetin e dytë më të madh të enklavës së kontestuar.
“Vendimi është marrë duke u bazuar në analiza të thella të situatës së luftës dhe në diskutim me ekspertët më të mirë të fushës”, tha Pashinyan përmes rrjeteve sociale, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
“Kjo nuk është fitore, por nuk ka humbje derisa ta cilësosh veten të mposhtur. Ne kurrë nuk do ta cilësojmë veten të mposhtur dhe ky do të bëhet një fillim i ri i një epoke të unitetit dhe rilindjes sonë kombëtare”, shtoi kryeministri armen.
Sipas tij, marrëveshja për ndërprerjen e luftimeve hyn në fuqi nga ora 1 pas mesnate të martën, duke u dhënë fund kështu gjashtë javëve të përleshjeve të ashpra ku vlerësohet se janë vrarë mbi një mijë persona.
Pashinyan e pranoi se vendimi për ta nënshkruar këtë marrëveshje ishte shumë i dhimbshëm, por shtoi se ky pakt ishte zgjidhja më e mirë e mundshme në situatën e tanishme.
Kjo marrëveshje u ndërmjetësua nga Rusia. Presidenti i këtij vendi, Vladimir Putin, tha se paqeruajtësit rusë do të dërgohen përgjatë vijës së frontit në Nagorno-Karabak pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Për këtë marrëveshje ende nuk ka ndonjë reagim zyrtar nga udhëheqësit e Azerbajxhanit.