Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gazmend Muhaxheri, ka thënë se në parti nuk kanë diskutuar për postin e presidentit, pasi siç tha ai partitë politike duhet të merren vesh për këtë pozitë.
“Nuk e di për këtë punë nuk është diskutuar, nuk as në rend dite me u diskutu, kur të vjen rendi me u diskutuar është mirë me u merr vesh kryetarët e partive politike”, ka thënë nënkryetari i LDK-së, Muhaxheri.
Muhaxheri ka bërë të dikur se LDK-së nuk i ngutet për gjetjen e një emri për postin e presidentit.
“Jo mundet këtë punë me ushtru ushtruesja e detyrës 6 muaj, nuk ka lidhje është kryesuese e Parlamentit dhe me Kushtetutë i takon me udhëheq këtë post. Duhet të bisedojmë disa muaj më pas të merrmi vesh për këtë post”, ka thënë ai për Front Online.
Muhaxheri i cili është edhe kryetar i Pejës dhe bashkëqeveris atje me PDK-në, ka thënë se nuk do të ishte kundër një koalicioni me PDK-në në nivel qendror.
“Unë jam në koalicion me PDK-në në Pejë dhe nuk mundem të them se nuk jam për koalicion”, ka thënë ai.
Muhaxheri nuk i ka përjashtuar as zgjedhjet e parakohshme në rast se nuk gjendet një zgjidhje as pas 6 muajve për postin e presidentit dhe nëse Qeveria nuk i ka numrat.
“Qeveria është duke udhëhequr mirë, nëse kanë nevojë e shohin çka munden me bë, nëse e shohin se nuk munden me bë edhe zgjedhje janë opsion”, është shprehur ai.
Pas konfirmimit të aktakuzës nga gjykata special për ish-presidentin Hashim Thaçin, këtë post tani e ushtron kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.