“Nuk e kam imagjinuar kurrë se do të përjetoja diçka të tillë…Sikur ta kishte bërë ndonjë njeri i huaj ndoshta do të mund ta pranoja disi. Por ta bëjë njeriu me të cilin unë lidha jetën, i bëra dy fëmijë, sakrifikova aq shumë që t’i ndihmoja edhe kur familja e tij hoqën dorë prej tij…Krejt çka ndieja ishte urrejtja”, thotë Suzana Zogiani Sekiraqa.
Suzana Zogiani-Sekiraqa, më 21 shtator 2018, në qytetin Dole të Francës, u ka dhënë fund dhunës dhe keqtrajtimit nga bashkëshorti Artan Sekiraqa, duke e goditur atë 11 herë me sëpatë në qafë. Ajo thotë se vrasjen e ka kryer në gjendje të tronditjes së thellë, pasi që e kishte parë të ndjerin teksa abuzonte me djalin e tyre. Zogiani-Sekiraqa e konsideron të padrejtë dënimin prej 25 vjetësh burgim. Thotë se trupi gjykues nuk i ka marrë parasysh fare dëshminë e saj dhe të djalit për abuzimin
Një zë i përvajshëm ia prishi gjumin Suzanës. Banesa ishte e vogël dhe dy fëmijët flinin në dhomën e ndejës. Hapi ngadalë derën të shihte në mos ëndrrat e tyre po ua trazonte ndonjë “përbindësh”. Pa se djali nuk ishte në shtrat, kurse vajza po flinte gjumë.
Zërat që dëgjonte e ndillnin të ecte drejt banjës, ku nga pragu i derës vërehej dritë. E hapi derën ngadalë. Skena që pa e shtangu. Këmbët iu këputën dhe nuk mund të ngopej ajër. Krejt çka donte ishte të ikte, të zhdukej diku, kudo.
Mori atletet dhe ashtu siç ishte në rroba nate u nis vrap nga dera e hyrjes. Rrotulloi çelësin dy herë dhe sapo ngrehu rezen (dorezën) dhe provoi të dilte, ndjeu dorën e tij ta kapte për flokësh dhe ta tërhiqte brenda. “Ku don me shku, atje ku je mësu me shku gjithmonë apo (në polici v.j.)?”, i tha.
Shikimet e tyre u kryqëzuan dhe për disa sekonda ata mbetën duke u shikuar pa folur asnjë fjalë. Gjithçka ia thanë njëri-tjetrit me sy. Ajo tronditjen dhe habinë se si kishte devijuar aq shumë, ai frikën dhe inatin që ishte kapur duke kryer një akt të tmerrshëm abuzimi mbi frytin e parë të dashurisë së tyre.
Duke e tërhequr zvarrë për flokësh e uli në karrige pranë tavolinës së kuzhinës. Suzana shpërtheu në akuza, sharje, britma. Artani filloi ta godiste me grushte nga mbërrinte, ashtu siç kishte bërë me vite. Kur shfreu mirë mbi të filloi t’i përgjërohej që ta falte. I kërkonte ta shtrëngonte shumë. Nga frika Suzana ia hodhi duart rreth qafës dhe i tha se ia kishte falur. Por ta shtrëngonte nuk mundte dot.
“Si mund ta shtrëngoja njeriun që më përballi me ndjenjën më të keqe në botë. Nuk e kam imagjinuar kurrë se do të përjetoja diçka të tillë…Sikur ta kishte bërë ndonjë njeri i huaj ndoshta do të mund ta pranoja disi. Por ta bëjë njeriu me të cilin unë lidha jetën, i bëra dy fëmijë, sakrifikova aq shumë që t’i ndihmoja edhe kur familja e tij hoqën dorë prej tij…Krejt çka ndieja ishte urrejtja”, rrëfente Suzana në një ditë tetori, ndërsa lotët i rridhnin faqeve pa ndalur.