Gjykata Kushtetuese së shpejti pritet ta publikojë aktvendimin lidhur me rastin e votimit të Qeverisë Hoti.
Sipas burimeve të Gazetës Express, vendimi i Kushtetueses i jep të drejtë Lëvizjes Vetëvendosje dhe e rrëzon Qeverinë e Avdullah Hotit.
Bëhet fjalë për ankesën e LVV’së lidhje me votën e deputetit Etem Arifi, që votoi pro formimit të Qeverisë Hoti, edhe pse ishte i dënuar nga gjykata. Përfaqësuesi i ashkalinjve ishte vota e 61-të, me të cilën Hotit iu mundësua të bëhet kryeministër.
LVV’ja ka dorëzuar në qershor të këtij viti kërkesën për interpretim në Gjykatën Kushtetuese rreth “antikushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit” të deputetit Etem Arifi në seancën për votimin e qeverisë Hoti.
“Me provat që dëshmojnë qartazi se z. Etem Arifi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe për rrjedhojë ka humbur mandatin e deputetit, sot, disa deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për antikushtetuetshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të z. Arifi, i cili e bën të pavlefshëm dhe jokushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Deputeti Arifi është dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim nga Gjykata e Apelit për mashtrim me subvencione. Edhe pas këtij dënimi, ai kishte marrë pjesë në seancën e 3 qershorit, kur vendi u bë me Qeveri të re.
Para një muaji ai është dorëzuar vetë në Polici për ta vuajtur dënimin.