Ishin nisur për ta festuar ditëlindjen, por pesë të rinjve kosovarë, festa u doli hidhërim.
Si pasojë e pakujdësisë, shoferi që po ngiste veturën, u përplas në një shtyllë elektrike, ku mbetën të lënduar 4 persona, derisa vetë ai s’mori asnjë lëndim. Aksidenti ndodhi saktësisht në rrugën Istog – Vrellë, rreth orës 22:00.
Në mesin e më të lënduarve, është Marigona Nebihi nga Drenasi, e cila ka mbetur e palëvizshme, shkaku i dëmtimeve të shumta.
Babai i 20-vjeçares, Arben Nebihi, ka thënë për IndeksOnline, se gjendja shëndetësore e vajzës së saj është e rëndë, ndërsa ai detyrohet që çdo ditë të marrë rrugën drejt QKUK-së në Prishtinë, për t’iu nënshtruar kontrolleve Marigona.
“Te enjtën e ka pasur ditëlindjen një shoqe e vajzës sime, edhe vajza ime ka qenë në atë makinë e cila është aksidentuar. Vajza ime është më e lënduara, e ka thyerje në kraharor dhe pritet të hyjë në operacion.
Atë në fillim e kanë dërguar në QKMF në Istog, më pas e kanë transferuar në Pejë, ndërsa nga Peja e kanë transferuar në Emergjencën e QKUK-së, ku edhe po ia përcjellin rastin. Shkaku i pandemisë dhe mbingarkesave, na kanë thënë se s’mund ta ndalin në QKUK çka se po na duhet çdo ditë ta dërgojmë nga Drenasi në Prishtinë”, ka thënë ai.
E rruga që e merr çdo ditë s’është e lehtë as për vajzën e tij për shkak të dëmtimeve, por as për vet Arbenin, pasi që ai është i papunë.
“Vajza ka marrë edhe shumë trauma, e gjendja e saj po përcillet edhe në Psikiatri në QKUK. Ne jemi në pritje se kur të na thonë që ajo të hyjë në operim, nuk e di nëse ky operacion mund të bëhet këtu apo jashtë vendit. Pasi që një pjesë e krahhut të majtë i është këputur”.
Marigona është studente e infermierisë, ndërsa vajza që kishte ditëlindjen, si pasojë e këtij aksidenti ka humbur dy gishtërinj.
Pamje nga aksidenti në fjalë: