Rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Prof. Ass. Dr. Artan Nimani nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me rrjetin kombëtar NREN. Rrjeti kombëtar për hulumtim dhe edukim është duke ndihmuar universitetet në zhvillimin e inovacionit, hulumtimit dhe edukimit në Kosovë. Nëpërmjet këtij projekti do bëhet lidhja me rrjetin ndërkombëtar GEANT.
Rrjeti për Hulumtim dhe Edukim i Kosovës (Kosovo Research and Education Network – më tutje KREN) është rrjet i shërbimeve dhe komunikimit elektronik me mision mbështetjen dhe lehtësimin e kërkesave të komunitetit shkencor, edukativ dhe hulumtues duke synuar një transformim digjital dhe nxitje në inovacion.
Krijimi i KREN është komponenti i dytë i Projektit KODE, i cili fillimisht do të funksionojë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, deri në konstituimin e tij si entitet i pavarur.