Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha në një intervistë live në faqen zyrtare të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka folur për jetën e tij ku ka ndarë detaje dhe momente të vështira nga koha e luftës si dhe për karrierën e tij politike.Së pari Berisha tregoi se si iu imponua shpërngulja nga Prishtina në fëmijërinë e hershme, si dhe për shkollimin e tij.
“Ne një kohë kemi jetuar në Prishtinë. Për shkak të kohës që kemi qenë të okupuar atë kohë jemi shpërngul në fshatin Saradran, ku kemi jetuar me familje. Por, ajo kohë ka qenë e vështirë. Shkollën fillore dhe atë të mesme e kam përfunduar në fshatin Saradran, së bashku me vëllezërit e mi”, tha Berisha.
Më tej Berisha foli edhe për Luftën Çlirimtarë të UÇK-së.
‘’Si çdo i ri edhe unë menjëherë jam angazhuar në UÇK dhe kam vazhduar luftën deri në fund të çlirimit të vendit”, tha Berisha.”Kemi qenë me vullnet të madh për luftë. Kemi pas momente të vështira. Një nga momentet mundem me veçua kur na u ka vra një shok, Menhend Dervishaj, ku prej kësaj familje janë tre vëllezër dëshmorë. Por momentet më të dhimbshme dhe më të prekshme kanë qenë në një ofensivë në fshatin Verllë, ku pas dy orë luftime kemi humbur 15 ushtarë. Kemi pas përballje me forca elite serbe”,deklaroi Berisha. “Në Shërbimin Policor të Kosovës kam filluar në vitin 2001”, shtoi ai.
Gjatë kësaj interviste Berisha tregoi edhe për familjen e tij. “Ne si familje qysh në themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kemi qenë të angazhuar si tendencë për shkëputje nga Vllaznim-Bashkim apo shkëputje apo kërkesë për lirinë e Kosovës, si i ri kam qenë i angazhuar në ato aktivitete. E më pas ju kam bashkuar krahut të shkove të mi, Ramush Haradinajt në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës”, u shpreh ai.
“Në AAK kam punu për 10 vite, së pari në Aleancën e të Rinjve, pastaj si zëdhënës i partisë, pastaj si asambleist. Me kërkesën e kryetarit Haradinaj jam kthy në Istog për zhvillimin e degës, pasi që nuk kemi pas përkrahje të mjaftueshme. Pas një viti punë, kemi arritur ta kthejmë tre fishin e përkrahjes në Istog nga 7 për qind në 28 për qind”, shtoi tutje ai.
Berisha tha se të zgjidhesh deputet pas një punë 10 vjeçare është një ndjenjë shumë e mirë. “Unë kam bashkëpunim shumë të mirë më të gjithë deputetët e partive politike. Ku të gjithë së bashku e kemi dhënë më të mirën për të vendin tonë”, tha ai.
“Unë si deputet normalisht që kam pas një fokusim më të madh për Istogun. Aty ka një zymtësi. Ka raste ku një projekt zgjatë për 20 vite. Njerëzit ende përballen me probleme bazike. Ku kanë mbetur veç premtime, pa u realizuar. Nuk është privilegj me udhëheq një komunë, po është përgjegjësi e madhe. Andaj në Istog duhet të shpërthejë zhvillimi dhe duhet avancuar njerëz të rinj”, përfundoi ai.