Kryetari i Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, është arrestuar nga EULEX-i me datën 25 shtator, në zyrat e veteranëve në Prishtinë, ku atë ditë u bë edhe një bastisje. Po atë ditë, Gucati u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gucati, më 1 tetor është paraqitur në seancën e parë gjyqësore para Tribunalit Special, ku mbrojtësi i tij, Jonathan Elystan Rees, ka kërkuar lirimin me kusht të klientit të tij. Ai tha se Gucati ka probleme shëndetësore, ai vuan nga diabeti, shtypja e lartë e gjakut si dhe vuan nga astma.
Derisa edhe vetë Gucati gjatë paraqitjes së parë në Gjykatë ka treguar se është invalid i luftës në shkallën 75%.
Sa i përket gjendjes së tij aktuale shëndetësore, avokati i Gucatit që ishte prezentë në seancë, Valon Hasani ka thënë për Gazetën Express se ai është mirë me shëndet.
“Gjendja e tij është stabile, kam biseduar dje me të”, tha Hasani.
Hasani tha se ende nuk është caktuar data për seancën e ardhshme. Ai tha se këto ditë pritet vendimi për ligjshmërinë e arrestit të Gucatit dhe sa i përket kërkesës për lirimin me kusht.
“Ende nuk është caktuar ndonjë datë. Ende nuk e dimë, presim këto ditë me lëshu vendim sa i përket ligjshmërisë së arrestit dhe sa i përket kërkesës tonë, ende nuk është marrë ndonjë vendim”, tha Hasani.
Ai po ashtu shtoi se nuk ka ndonjë informacion rreth përgatitjes së aktakuzës, përveç atë që Prokuroria e Specializuar e ka thënë në seancën e parë gjyqësore se brenda 30 ditësh do të ngrisin aktakuzë ndaj Gucatit.
““Prokuroria e Specializuar ka ndërmend të dorëzojë aktakuzën brenda një periudhe 30 ditore”, kishte thënë prokurorja Valeria Bolici.
Ndër të tjerash, avokati Reese kishte thënë që nëse klientit të tij i mundësohet lirimi me kusht do të japnin një garanci prej 5 mijë eurosh, që Gucati të jetojë në një adresë të caktuar në Kosovë dhe të raportojë në policinë e EULEX-it.
Por, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte thënë se mbetja në paraburgim e Gucatit është e nevojshme pasi “ka motive” se ai mund t’i “shmanget drejtësisë”, por edhe të përsërisë veprat të cilat dyshohet se i ka kryer.
Këto ditë pritet vendimi se a do të lirohet me kusht Gucati apo jo.