Ka përfunduar seanca dëgjimore e kryetarit të Istogut, Haki Rugova, i cili u arrestua nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare.
Avokati mbrojtës i Rugovës, Besnik Berisha, para medieve ka thënë se arrestimi i tij është i kundërligjshëm, arbitrar dhe i motivuar për gjithçka tjetër por jo për shkaqe ligjore.
Ai po ashtu ka thënë se ndaj të parit të Istogut është bërë krim dhe kjo do të provohet, pasi që bën të ditur se kanë dorëzuar prova për secilin pretendim të Prokurorisë.
“Një fjali që e kam proceduar vazhdimisht është se krim s’ka bërë Hakia, por Prokuroria. Kemi dorëzu prova se nuk bëhet fjalë për falsifikim, nuk bëhet fjalë për shpronësim të kundërligjshëm, nuk bëhet fjalë për prona të shfrytëzuara nga mandati që kryeson në Komunë z.Rugova. Çdo provë e dorëzuar sot rrëzon verbërimin e Prokurorisë, veshët e shurdhtë të tyre për të hapë në drejtim të ndriçimit të plotë të kësaj çështjeje.”, është shprehur ai.
Berisha po ashtu ka bërë të ditur se seanca u vonua për shkak të kërkesave të tij, pasi që ka shtjelluar në detaje kërkesën e Prokurorisë, shkruan Reporteri.net.
“Seanca u vonua për shkak se me të pranuar kërkesën e Prokurorisë, rresht për rresht e kam ‘lnuar’ sikur copën e leshit, ia kam shpërfaqë pafytyrsinë e ndjekjes së instruktuar por jo juridikisht të arsyetuar.”, ka thënë Berisha.
Mbrojtja e Rugovës akuzon Prokurorinë se kanë dorëzuar dokumente të cilat përmbanin fakte të falsifikuara dhe thotë se kjo Prokurori nuk ka qenë kompentente për arrestimin e Rugovës dhe as të iniciojë hetim kur bëhet fjalë për një zyrtar të Komunës, përkatësisht zyrtarin më të lart ekzekutiv si kryetar i Komunës.
Berisha bën të ditur se për shkak të kësaj do të kërkohet një hetim urgjent nga Prokuroria Speciale në lidhje me rastin e Haki Rugovës.
Sipas Berishës, Rugova është persekutuar.
“Kryetari i Komunës është persekutuar dhe po të kishte ligj, po të kishte një organ që mbikëqyrë dhe penalizon veprimet e një arrestimi arbitrar, do të provohej pa u bo tri ditë se ajo çka keni pa ju nga Prokuroria është dëm i pariparueshëm ndaj z.Rugova, ndaj familjes së tij, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij, si një njeri asnjëherë i gjykuar, asnjëherë i dënuar. Asnjëherë i gjykuar me vendim të formës së prerë.”, ka thënë para gazetarëve Besnik Berisha.
Berisha ka njoftuar se në orët e pasdites do të ketë konferencë për medie nga Lidhja Demokratike e Kosovës ku do të shpaloset gjithçka që pretendon Prokuroria dhe çdo provë që ka dorëzuar sot mbrojtja e Haki Rugovës, shkruan Reporteri.net.
Ai njoftoi se Prokuroria është tërhequr nga propozimi për masën e sigurisë ndaj zyrtarit ligjor Faton Bujupi, i cili dyshohet se është hartues dhe përpilues i dokumentit që sipas Prokurorisë është i falsifikuar.
Sipas tij kjo dëshmon se ndjekja penale ndaj Rugovës dhe të tjerëve është e instruktuar.
“Pra, për akterin kryesor, po e shihni se ku shkon djallëzia e një ndjekje të instruktuar, për akterin kryesor kinse, se për mua është plotësisht i pafajshëm, për akterin kryesor, në fund të mbylljes së propozimeve, Prokuroria heq dorë, thotë ndaj tij tërhiqet propozimi por nuk mund të tërhiqet nga propozimi nga zoti Rugova, se po të tërhiqeshin sot, turpi nuk i mbulon as sot, as nesër, as sot 1 vjet, as sot 10 vjet është turp i organit të ndjekjes, por nuk do të mund të arsyetonin spektaklin e bërë dhe dëmin e shkaktuar deri më tani”, tha ai.
Berisha shprehu keqardhje që seanca është mbyllur për media. Sipas tij, është dashur që publiku ta dëgjojë “presekutimin” që thotë se ka ndodhur ndaj Haki Rugovës.
Kryetari i Istogut është arrestuar të premtën e 9 tetorit me urdhër të prokurorisë, bashkë me ish-nënkryetarin e kësj komune, Lulzim Blakaj dhe zyrtarin ligjor, Faton Bujupi.
Sipas Policisë, tre të dyshuarit janë arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.