Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka udhëtuar mbrëmjen e sotme me urgjencë drejt Shkodrës. Burime bëjnë me dije se ai ka mbërritur në drejtorinë vendore të policisë Shkodër.
Arsyeja e vizitës blic mësohet se është ngjarje e rëndë e zhdukjes së tre kushërinjve dhe kërkimet pa rezultat për gjetjen e tyre.
Vrasje për hashash?
Vjedhja e një sasie të vogël kanabisi, sipas dëshmive, mund të jetë shkaku i zhdukjes së tre kushërinjve në Malësi të Madhe, ku dy dyshohet se janë vrarë.
Dyshimet janë se Vilson Çutaj 37 vjeç dhe Klement Pepaj 21 vjeç janë ekzekutuar dhe groposur nga 25 vjeçari Danjel Pepaj.
Hetimi është orientuar në këtë drejtim pas dëshmive se tre të rinjtë kishin pasur një përplasje të fortë disa ditë para se të zhdukeshin.
Sipas dëshmive të banorëve, Danjel Pepa u dhunua nga dy të afërmit në Bajzë dhe ky i fundit i ka vrarë e groposur si hakmarrje dhe më pas ka kaluar drejt Malit të Zi.
Deri me tani çdo gjë është në fazën e dyshimit të ngritur mbi bazë dëshmish të banorëve dhe faktit që ditën kur ata u zhdukën në zonë thuhet se u dëgjuan krisma.
Gjatë kontrolleve dy ditore në male, forcat e policisë, familjarët dhe banorët e zonës nuk kanë arritur të gjejnë asnjë gjurmë.
Policia nuk ka gjetur as gëzhoja dhe as detajet të tjera që të mund të ndihmojnë hetimet, ndërsa telefonët celularë te tre të rinjve rezultojnë të fikur.
Në territorin e kontrolluar, sipas burimeve nuk janë gjetur as parcela hashashi, çka e ka bërë edhe me komplekse çështjen, duke i shtuar deklaratat kontradiktore të banorëve të marrë në pyetje.
Paralelisht me kërkimet ne male, policia ka ushtruar kontrolle edhe ne banesat e tre personave të zhdukur, ku sipas burimeve nuk është gjetur as drogë e as armë.
Të hënën, babai i Klement Pepajt hodhi dyshime tek djali i xhaxhait të tij Danjel Pepaj, pasi ky i fundit ishte parë me armë, ndërsa shprehu frikën se i biri mund të ishte përfshirë në çështjet e drogës.