I akuzuari për vrasjen e rëndë të mikut të tij, në Pejë, Kreshnik Haliti e ka pranuar kryerjen e vrasjes ndaj të ndjerit Mentor Zekaj, mirëpo ka mohuar se veprën e ka kryer për shkak të përfitimit pasuror, ashtu siç pretendon Prokuroria e Pejës.
Një deklarim të tillë, i akuzuari Haliti e ka dhënë në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Pejë, ku po akuzohet se në mars të vitit 2017, për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur në mes vete, lidhur me një borxh prej afro 77 mijë euro, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e ka privuar nga jeta, tani të ndjerin Mentor Zekaj.
Të akuzuarit Haliti, pasi u dha mundësia për deklarim, ai theksoi se i pranonte veprimet e tij mirëpo jo sipas cilësimit juridik ku ngarkohet për vrasje për motive pasurore. Ndërsa i fajshëm u deklarua për armëmbajtje paleje.
Lidhur me këtë, kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, mori vendim për refuzimin e pranimit të fajësisë për shkak se i akuzuari nuk e kishte bërë pranimin e plotë të fajësisë.
Në këtë çështje penale, janë dhënë fjalët hyrëse nga palët pasi shqyrtimi gjyqësor ka filluar rishtas pas vendimit të kryetares së trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri pasi është bërë ndërrimi i njërit nga anëtarët të trupit gjykues, për shkak të arritjes së pensionimit.
Prokurori Ardian Hajdari në fjalën hyrëse mbeti pranë deklarimeve të tij të mëhershme, sikurse përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Gëzim Kollqaku.
Në anën tjetër, avokati i të pandehurit, avokati Besnik Berisha, ka theksuar se në këtë gjykim do të provohet se i mbrojturi i tij, nuk e kishte kryer vrasjen për qëllime pasurore, siç Prokuroria e Pejës, pretendon në akuzën e saj.
“Do të provohet se gjithçka mund të jetë e vërtetë, por asnjëherë, kurrë nuk mund të jetë se tani i ndjeri nuk jeton për shkak se është synu mi përfitu 77 mijë euro”, tha avokati Berisha.
Berisha shtoi se në fund të gjykimit, do t’i propozojë gjykatës që i mbrojturi i tij të mbahet përgjegjës për veprimet e tij të kryerja si rezultat i tronditjes së rëndë mendore dhe sulmit real dhe të paprovokuar.
Në këtë seancë kryetarja Muhaxheri kërkoi palët të paraqesin ndonjë propozim shtesë për prova, mirëpo avokati Berisha theksoi i nevojitet kohë shtesë të bëjë analizimin e të gjitha provave në mënyrë që të paraqet edhe prova shtesë.
Seanca e radhës u caktua më 5 dhe 10 nëntor 2020, duke filluar prej orës 10:00.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, më 4 korrik të vitit 2018, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Kreshnik Haliti, ndaj të cilit kishte shqiptuar dënim unik prej 22 vjetësh e gjashtë muaj burgim, nën akuzat për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
Mirëpo, Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi ishte i përfshirë në shkelje të procedurës penale dhe vërtetimin jo të plotë të gjendjes faktike.
Gjykata e Apelit ka konstatuar se dispozitivi i aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, është i paqartë dhe i pakuptueshëm dhe si rrjedhojë, ekzistojnë kundërthënie me arsyet e paraqitura lidhur me faktet vendimtare.
“Gjykata nuk jep asnjë fakt vendimtar lidhur me atë se i akuzuari Kreshnik Haliti ishte përgatitur me parë për ta privuar nga jeta të ndjerin Mentor Zekaj. Ekzistojnë kontradikta mes dispozitivit të aktgjykimit lidhur me përgatitjen paraprake të akuzuarit për të privuar nga jeta të ndjerin Mentor Zekaj, kjo për faktin se nga raportet e telefonisë “Vala” dhe “Ipko” del e kundërta me dëshminë e dëshmitares Mirjeta Zekaj, si prova materiale se i ndjeri i ka bërë telefonatat e fundit dhe gjykata lidhur me këtë fakt vendimtar e që është i rëndësishëm për cilësimin e veprës penale si kualifikuese nuk jep konkludime të qarta dhe të drejta se i pandehuri ishte i përgatitur më parë për ta privuar nga jeta të ndjerin”, theksohet në vendimin e Apelit.
Tutje, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se sipas shkresave të lëndës dhe provave të nxjerra, rezulton se i akuzuari kishte marrë borxh nga i ndjeri shumën prej 2000 mijë euro, për të rregulluar marrëdhëniet pronësore lidhur me një truall, meqë një pjesë të shtëpisë e kishte ndërtuar në pronë shoqërore.
“Këto të holla, dy herë nga 400 euro i pandehuri ia kishte kthyer të ndjerit, ndërsa sipas deklaratës së bashkëshortes të ndjerit, Mirjeta Zekaj, rezulton se i ndjeri Mentor Zekaj ia kishte dhënë të akuzuarit shumën prej 85 mijë euro, ndërsa pas privimit nga jeta në letrën e shkruar rezulton të jetë një borxh prej 77 mijë euro, dhe gjykata nuk jep arsye bindëse dhe argumentuese se cili ishte borxhi i vërtetë, apo shuma e të hollave prej 77 mijë euro, ishin për blerjen e tokës së konfiskuar e cila nga AKP-ja, duhet të blihej nga i akuzuari bashkë me Florijan Kelmendin, meqë i akuzuari nuk kishte të gjitha të hollat e gatshme për të blertë këtë tokë”, thuhej në vendimin e Apelit.
Në fund, gjykata e Apelit ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë t’i nxjerrë të gjitha provat, të dëgjojë dëshmitarët se a ka ekzistuar borxhi për shkak të cilit është privuar nga jeta i ndjeri Mentor Zekaj nga i akuzuari Kreshnik Haliti, për shkak të dobisë pasurore dhe me kujdes të analizohen video incizimet.
Kreshnik Haliti akuzohet se më 6 mars 2017, rreth orës 16:10, në rrugën “Myrvete Maksutaj”, në Pejë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e ka privuar nga jeta viktimën, tani të ndjerin Mentor Zekaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Këto veprime, gjithmonë sipas aktakuzës, kanë ardhur për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur ndërmjet vete tani i ndjeri Mentor Zekaj me të pandehurin Kreshnik Haliti, lidhur me një borxh prej afro 77 mijë euro.
Sipas aktakuzës, i pandehuri në ditën kritike i përgatitur për vrasjen, e thërret viktimën për të shkuar në qendër të Pejës, me ç’rast me makinën e tij viktima ka shkuar e ka marrë të pandehurin, ku në veturë kanë biseduar për borxhin, ashtu që sapo kanë arritur në vendin kritik, i pandehuri e godet dy herë me një revole të modelit “Pietro Beretta M-70”, e kalibrit 7.65x17mm.