Aksionin e 18 shtatorit në fshatin Karaçevë të Kamenicës, Policia e Kosovës e ka vazhduar këtë të enjte.
Kësaj radhe janë bastisur fabrikat e mishit e mishtore të ndryshme në Pejë, Prizren e Gjilan, në të cilat dyshohet se janë pranuar kafshë të kontrabanduara përmes pikës kufitare në afërsi të Karaçevës.
Një ndër objektet e bastisura është ajo e fabrikës së mishit në fshatin Cigë të Pejës. Pranë saj janë parë njësite të ndryshme policore e oficerë të doganës, të asistuar edhe nga inspektorë të Administratës Tatimore dhe të Agjencisë së Veterinarisë.
Por gjatë xhirimit të aksionit të zyrtarëve policorë, një nga kasapët e fabrikës së bastisur ka kërcënuar gazetarin e KOHËS, gjë që ka nxitur edhe reagimin e Policisë së Kosovës.
Nga aksioni i së enjtes Policia ka arrestuar 22 persona, duke e çuar numrin e të arrestuarve për rastin “Karaçeva” në 59.
Sipas kryeprokurorit të Gjilanit, Jetish Maloku, ndaj të arrestuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Nga aksioni Policia e Kosovës ka sekuestruar një numër të konsiderueshëm të gjësendeve, duke përfshirë edhe gjedhe e armë.
Nga aksioni i Policisë së Kosovës, të premten e 18 shtatorit u bastisën e më pas u rrënuan dhjetëra objekte të kazinove në fshatin Karaçevë të Kamenicës. Nga ky aksion u arrestuan 35 persona, prej të cilëve 12 policë. Rreth një javë më vonë, në pranga u vunë edhe dy persona të tjerë. Përveç për veprimtari të paligjshme të bixhozit, ata dyshohet se bënë kontrabandë me mallra nga Serbia.