Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti i është ndërprerë fjalimi gjatë tryezës ku po flitet për dialogun me Serbinë.
Aktivistet e PSD-së, Teutë Rrusti dhe Natyra Kuçi kanë hedhur fletushka në drejtim të Hotit, derisa në sallë u dëgjuan edhe fishkëllima të shumta, transmeton Telegrafi.
“Dhuna në familje është duke u rritë, ju nuk keni thënë asnjë gjë për këtë. Po flisni për pandeminë, e gratë po rrezikohen nga burrat. Atyre po iu mohohet e drejta e jetës. Për këtë arsye kemi vendosur që të ju ndërprejmë fjalën”, tha Teutë Rrusti.
Pas kësaj, kryeministri Hoti tha se nuk është vendi për veprime të tilla, teksa shtoi se është e drejtë e tyre nëse duan të veprojnë ashtu.
Hoti u tha aktivisteve të PSD-së se e kanë gjetur njeriun e gabuar, pasi është në anën e grave.
“Nuk e gjeni një person tjetër që i mbron me më vendosmëri të drejtat e grave… a dëshironi me ndëgju deklarata a veprime të institucioneve në këtë drejtim… të gjitha keni me i ndëgju…”, u shpreh Hoti, duke shtuar se është në anën e grave.
Ndryshe, pas kësaj Hoti ka vazhduar fjalimin dhe diskutimin për marrëveshjen e arritur në Washington.