Rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Prof. Ass. Dr. Artan Nimani u prit në takim nga Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Në takim u diskutua lidhur me pandeminë Covid-19 si dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri akademik, duke i ndërmarrë të gjitha masat e duhura për ruajtjen e shëndetit publik të studentëve dhe stafit të UGJFA-së.
Rektori Nimani e falënderoi për pritjen Ministrin Zemaj dhe e informoi atë për orientimin e politikave zhvillimore të Universitetit, konkretisht në fushën e mjekësisë.
Po ashtu ia bëri të ditura masat e ndërmarra në Universitet, për menaxhimin e situatës lidhur me pandeminë Covid-19.
Ministri Zemaj e përgëzoi rektorin Nimani për të arriturat e Universitetit dhe shprehi gatishmërinë për mbështetjen e nevojshme, për programet e reja studimore si dhe për infrastrukturën për të cilën ka nevojë Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”.
Në vazhdën e takimeve, rektori Nimani u prit edhe nga Drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, me të cilin biseduan për krijimin e hapësirës së nevojshme që Fakulteti i Mjekësisë të zhvendoset në hapësirat e Spitalit të Përgjithshëm Rajonal të Gjakovës “Isa Grezda”. Në takim morën pjesë Prorektorja për Çështje Akademike dhe Ngritje të Cilësisë, Prof. Ass. Dr. Vjollca Dibra, anëtari i Senatit, Prof.Asoc.Dr. Ramush Bejiqi si dhe Zëvendës Ministri i Shëndetësisë, Dr. Luan Gola.
Në fund të takimit u pajtuan që këto diskutime t’i konkretizojnë, kështu duke shtyrë përpara qëllimet e përbashkëta.