Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, nga Vlora ku mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të forcave ‘Shqiponja’ komentoi informacionet e shpërndara në media ditët e fundit për ndryshime në qeveri dhe largimin e tij nga kabineti.
Lleshaj paralajmëroi largimin nga qeveria teksa deklaroi se është e sigurt që nuk do të jetë më ministër.
“Që s’do të jem në këtë post është e sigurt, asnjë nuk është i përjetshëm në një post”, tha ministri i Brendshëm.
Teksa e cilësoi Operacionin Forca e Ligjit (OFL) si histori e jashtëzakonshme suksesi, ministri tha se qëllimi i këtij operacioni masiv të shtrirë në të gjithë vendin është që të bindë këdo që ka hyrë në rrugë kriminale se kjo rrugë nuk vlen pasi do vijë një ditë që pasuritë e siguruara nga kjo rrugë do t’u merren dhe do të vihen në shërbim të publikut.
“Krimi sado të arrijë të zgjasë në kohë në fund të herës produkti i tij, që është pasuria kriminale do t’u hiqet nga duart”, tha ministri Lleshaj.
I pyetur lidhur me situatën e kanabisit në vend, Lleshaj tha se kanabisi ka marrë një goditje të madhe të Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë, dhe kjo duket veç të tjerash sipas ministrit, edhe nga sasia e drogës që kapet në brigjet italiane e cila ka shkuar drejt zeros.