Në javën e ardhshme pritet të merret vendim për lehtësim të procedurave të kalimit nga Kosova në Maqedoninë Veriore dhe anasjelltas, përcjell Gazeta Express.
Pas një takimi mes ministrit të Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, dhe atij të Maqedonisë Veriore, Venko Filipçe, ky i fundit tha se do të shikohet mundësia që të largohet nga procedura dëshmia e testit PCR negativ, transmeton KOHA.
Siç bënë të ditur ministrat e të dyja vendeve, janë duke shqyrtuar procedura të tjera që e lehtësojnë qarkullimin në pikat kufitare, e që janë testet serologjike apo edhe vetëm me maska e dorëza.
Ndërkaq Zemaj njoftoi se do të ketë vlerësim të situatës epidemiologjike në rajon dhe të lehtësohen masat e kalimeve në pikat kufitare.
Dy javë më parë ministrat e Shëndetësisë së vendeve të Ballkanit, bashkë me Greqinë e Bullgarinë, kishin mbajtur një takim online në të cilin ishte diskutuar për lëvizjen e lirë të qytetarëve në kohë të pandemisë.