Për momentin aktivë janë 1.905 raste të të infektuarve me Kovid-19, deri më tani nga virusi janë shëruar 12.754, ndërsa 634 persona e kanë humbur jetën, përcjell Gazeta Express.
Nga Instituti për shëndet publik kanë vërejtur se javën e kaluar është rritur numri i të infektuarve dhe të hospitalizuarve me Kovid-19, më së shumti janë të moshës mes 30 dhe 39 dhe mbi 60 vjeç. Nga Shoqata e pacientëve kërkuan kritere të veçanta për kthimin në punë të personave me sëmundje kronike. Qeveria vendosi që ata të kthehen në vendet e tyre të punës, me përjashtim të personave me gjendje të rëndë shëndetësore, të cilët do të shfrytëzojnë pushim mjekësor.
Më shumë raste aktive nga Kovid-19 ka në Shkup – 588, Kumanovë 230, Dibër 31, Shtip 90. Prilep 140, Tetovë 105, Strugë 60, Veles 21, Manastir 40, Ohër 53, Kavadar 26, Gostivar 103, Gjevgjeli 45, Strumicë 30, Kriva Pallankë 18, Radovish 8, Krushevë 1, Koçan 39, Probishtip 16, Demir Hisar 2, Makedonski Brod 13, Pehçevë 26, Berovë 35, Vallandovë 2, Vinicë 27, Dellçevë 80, Kratovë 6, Shën Nikollë 25, Kërçovë 40 dhe Negotinë 5.
“Në Klinikën infektive gjatë 24 orëve të fundit janë pranuar shtatë pacientë. Gjithsej janë të hospitalizuar 87. Në përkrahje me oksigjen janë 63, nuk ka pacientë në ventilim mekanik. Në spitalin në Kozle janë hospitalizuar dy fëmijë dhe tri nëna pozitivë në Kovid-19, ndërsa pesë fëmijë dhe dy nëna të dyshimtë në virusin. Në SPQ “8 Shtatori” në Shkup janë pranuar gjashtë pacientë, ndërsa të hospitalizuar janë 26. Në respiratorë janë shtatë pacientë. Në spitalin në Manastir janë të hospitalizuar 14, ndërsa në spitalin në Shtip janë të hospitalizuar 57 pacientë. Në repartet infektive në Tetovë, Ohër, Veles, Kumanovë, Prilep, Gostivar, Strumicë dhe Strugë janë hospitalizuar 121, pozitivë dhe të dyshimtë në Kovid-19”, kumtuan nga Ministria e Shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë kumtoi se në pajtim me raportin e Institutit për shëndet publik, i cili ka të bëjë me javën e kaluar (nga 31 gusht deri më 6 shtator) janë testuar gjithsej 9.734 materiale në laboratorët në të cilët zbatohet testimi molekular i pranisë së SARS-CoV-2, që është për 2,1 për qind më pak lidhur me javën para saj.
Përqindja e rasteve pozitive nga testimet arrin 8,1 për qind, që paraqet rritje prej 1,4 për qind lidhur me javën paraprake.
Shoqatat e pacientëve kërkuan që Komisioni për sëmundje infektive dhe Ministria e Shëndetësisë të publikojnë listë të komorbiditetit të cilat janë vërejtur tek të vdekurit nga Kovid-19 (sipas atyre diagnozave të lirohen edhe më tej nga puna), një pjesë e të sëmurëve kronikë të cilët janë në rrezik të madh të vdekshmërisë nga Kovid-9 të mbesin të liruara nga puna (lista e më të rrezikuarve me sëmundje kronike të dorëzohet nga klinikat përkatëse deri tek Komisioni për sëmundje infektive), ndërsa kthimi në punë i të sëmurëve kronike të zhvillohet sipas kritereve përkatëse, sepse të gjithë pacientët me sëmundje kronike nuk janë me rrezik të lartë.
Qeveria në seancën e djeshme e miratoi propozimin e Komisionit për sëmundje infektive për kthimin në punë të të sëmurëve kronikë, me përjashtime.
“Të punësuarit të cilët janë të liruar nga puna në bazë të listës së konfirmuar të sëmundjeve kronike të kthehen në vendet e tyre të punës dhe rregullisht t’i kryejnë detyrat e tyre të punës. Përjashtim nga kjo do të jenë vetëm personat (pacientë) te të cilët sëmundja është në fazën e përkeqësimit dhe për ata me sëmundje malinje, për të cilët do të jepet vërtetim me udhëzim dhe mendim nga mjeku specialist, në bazë të të cilit vërtetim këta persona do të shfrytëzojnë pushimin mjekësor”, informojnë nga pres-shërbimi i Qeverisë.
Në kuadër të mbledhjes është vendosur që gratë shtatzëna të vazhdojnë t’i shfrytëzojnë masat e Qeverisë.