Ardian Ismajli aktualisht ndodhet në Kosovë, vendin ku edhe i mori hapat e parë si futbollist. Ismajli ka ardhur për të qëndruar shkurt në vendlindje pasi këtë javë do të niset drejt Italisë për të firmosur kontratën me ekipin e ri.
“Kam ardhur për t’i vizituar familjarët. Të premten do të udhëtoj për t’i kryer testet mjekësore”, thotë Ismajli të mërkurën për KOHËN.
Mbrojtësi i Shqipërisë të premten do të prezantohet nga Spezia, ekip që në edicionin e ri, që nis më 19 shtator, do të bëjë gara në Serie A. Ai është i bindur se testet do t’i kalojë me sukses për ta vazhduar karrierën në një prej pesë ligave më të forta në Evropë – Itali. Ai te Spezia do të transferohet nga Hajduku i Splitit, që iu bashkua para katër vjetësh. Por, deri te mundësia për t’u paraqitur në Serie A, rruga e Ismajlit nuk ishte e lehtë, pasi nisi nga futbolli i Kosovës. Futbollisti i lindur në Majac të Podujevës, karrierën si i ri e ka nisur te 2 Korriku i Prishtinës, skuadër ku po ashtu hapat e parë i mori edhe Etrit Berisha. Berisha në të kaluarën ka luajtur në Serie A me Lazion, Atalantan dhe SPAL-in. Me këtë të fundit nuk arriti të siguronte mbijetesë në elitën e futbollit italian. Te skuadra e 2 Korrikut, Ismajli luajti në Kategorinë e Dytë të Kosovës. Si senior i skuadrës nga Prishtina debutoi në stinorin pranveror të edicionit 2013/2014.
“Sigurisht që është ngritje e madhe nga 2 Korriku në Serie A. Është e arritur e madhe për mendimin tim. Nuk ka qenë aspak e lehtë që prej Kosovës të arrish në këtë nivel, por unë nuk do të ndalem me kaq. Do të punoj për t’i dëshmuar vlerat e mia”, tha ai.
Ismajli nuk ka treguar për detajet e marrëveshjes, por nuk e fsheh gëzimin që do ta ketë rastin të paraqitet në ligën që e kishte ëndërruar që nga fëmijëria.