Kryetari i Federatës së Futbollit të Shqiperisë, Armando Duka, është shprehur i zhgënjyer me paraqitjen e futbollistëve të kombëtares shqiptare kundër Lituanisë.
Sipas tij, vetëkënaqësia bëri që të penalizohen në rezultat, transmeton Klan Kosova.
“Kombëtarja A zhgënjeu, jo vetëm me rezultat, por nuk dha gjë në fushë. Nuk mendoj se ishte vetëm lodhja që padyshim ndikoi, por përqendrimi për të vlerësuar çdo lloj kundërshtari, domethënë për t’u kthyer me këmbë në tokë, për ta fituar ndeshjen në fushë dhe jo për ta menduar përpara”, ka thënë ai për faqen zyrtare të FSHF-së.
“Kjo vetëkënaqësia na penalizoi. Gjithsesi, duhet t’i lëmë mbrapa dhe duhet të shikojmë përpara ndeshjet e tjera dhe të vazhdojmë të jemi pretendentë për ta udhëhequr grupin. Duhet të bëjmë rezultat pozitiv në Kazakistan dhe në Lituani”.