Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka pritur sot kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq. Temë e pashmangshme sigurisht ishte Kosova.
Mediat serbe citojnë kancelaren gjermane të ketë thënë se “duhet të vazhdohet procesi i zgjidhjes së problemit të Kosovës dhe ai të shkojë përpara, në mënyrë që të arrihet zgjidhja”.
Ato kanë biseduar edhe për situatën dhe bashkëpunimin në rajon, transmeton Koha.net.
Ndërkaq kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, deklaroi pas takimit, se “çështja e Kosovës ishte e vetmja pikë mosmarrëveshjeje dhe mospajtimi në mes të Serbisë e Gjermanisë”, por shtoi se “me rëndësi është të bisedohet rreth kësaj teme, meqë pa një zgjidhje afatgjatë të qëndrueshme të këtij problemi dhe të pajtimit midis serbëve e shqiptarëve nuk do të ketë ardhmëri afatgjatë për Ballkanin.
“Çështja e Kosovës e Metohisë është padyshim një pikë mospajtimi dhe moskuptimi, por për ne Gjermania është një nga partnerët më të rëndësishëm dhe pavarësisht se nuk pajtohemi në disa çështje, me e rëndësishmja është që me Gjermaninë të bisedojmë, të dëgjojmë mendimin e saj dhe këshillat, të paraqesim qëndrimin tonë dhe të shohim nëse së bashku mund të përafrojmë qëndrimet dhe të arrijmë në një zgjidhje afatgjate të qëndrueshme”, tha ajo.