Republika e Maqedonisë Veriore sot e shënon 29-vjetorin e pavarësisë së saj nga ish-federata jugosllave, përmes një referendumi popullor, i cili e shpalli atë shtet të pavarur dhe sovran.
Sipas vlerësimeve shtetërore të asaj kohe, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”, përcjell INA.
Referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Shqiptarët në Maqedoni njëzëri e kanë bojkotuar referendumin për pavarësi të 8 shtatorit 1991, dhe nuk e kanë votuar as Kushtetutën e Maqedonisë, të sjellë nga Parlamenti i këtij shteti më 17 nëntor 1991, të pakënaqur me pozitën e tyre në këtë shtet që po ndahej nga ish-federata jugosllave.
Pak muaj më vonë përmes subjekteve politike shqiptare u organizua referendumin për Autonomi Politike-territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni. Ky referendum u mbajt më 11 dhe 12 janar 1992, vetëm 4 muaj pas referendumit për pavarësinë gjysmake të Maqedonisë, në të cilin morën pjesë, nga gjithsej 383.539 qytetarë shqiptarë me të drejtë vote, 360.928 prej tyre u deklaruan PËR këtë formë të organizimit politik dhe shtetëror të shqiptarëve në Maqedoni.
Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991. Dhjetë vite më vonë Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, pas çfarë pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina…
Shteti u pavarësua monetarisht me vendosjen e denarit më 26 prill 1992, e më pas formoi edhe Armatën e vet, e cila ditëlindjen e feston më 18 gusht.
Subjektiviteti ndërkombëtaro-juridik i shtetit definitivisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtare e 181-të në Organizatën botërore. Megjithatë për shkak të kundërshtimeve dhe presioneve të Greqisë, e cila nuk e pranon emrin kushtetues të Maqedonisë, anëtarësimi në KB u bë nën referencën e përkohshme Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Ky përvjetor e gjen vendin si anëtare të NATO me emrin e ri Maqedonia e Veriut, ndërsa prioritetet e ardhshme në planin e jashtëm integrimi i plotë në BE. /INA/