Presidenti Hashim Thaçi sërish ka thumbuar kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, rreth deklaratave të këtij të fundit sa ishte kryeministër, i cili kishte deklaruar se po të shkonte në “Shtëpinë e Bardhë”, do të duhej të dilte nga takimet, pasi po të qëndronte aty “do të ishin thikat mbi hartën tonë”.
Thaçi ka thënë se për këtë deklaratë duhet kërkuar falje.
“Përsëri them, ku janë thikat mbi harta? Ku mbetën ata që thanë kështu? Duhet të kërkojnë falje ata djem”, tha Thaçi në Top Channel, shkruan Reporteri.net.
Presidenti ndërkohë ka shprehur pakënaqësinë e tij edhe lidhur me çështjen e Liqenit të Ujmanit, duke thënë se nuk do të diskutohej në Shtëpi të Bardhë po të shkonte ai në qershor, kur ishte parashikuar takimi i liderëve.
“Ujmani nuk ka qenë pjesë draftit të negociatave të qershorit. Është çështje e ndjeshme. Ka qenë një gabim por nuk jam këtu për opinione. Tash është bërë një temë në Kosovë dhe do të diskutohet. Kosova ka negociuar si vend sovran. Sikur në aspektin teknik ashtu edhe atë politik. Nuk jam që të diskutohet çështja e Ujmanit. Jam që të dërgohet deri në fund Procesi i Berlinit”, ka thënë Thaçi.