Marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nga pala kosovare dhe ajo serbe, Vetëvendosje po e quan koncesion dhe kompromis nga ana e Kosovës për Serbinë.
Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Përparim Kryeziu, thotë se ky proces nuk e solli njohën e ndërsjellët siç edhe kishte premtuar por veçse e ka ofruar edhe më afër me Serbinë, derisa shton se VV e konsideron të dëmshme këtë marrëveshje.
Po ashtu ai foli edhe për pretendimet e Vetëvendosjes “thika mbi harta”.
“Ky proces sikurse ata të kaluarit filloj pa përgatitje, pa parime, pa synime të qarta dhe rrjedhimisht përfundoj vetëm me koncesione dhe kompromise nga ana e Kosovës në raport me Serbinë. Ajo nuk e sjelli njohjen e ndërsjellët e cila ishte një premtim që të gjithë delegacioni dhe kjo qeveri e bëri para nisjes në këtë udhëtim, lëre se nuk e sjelli njohën por vetëm sa e sjelli më afër Serbinë në Kosovë”, tha Kryeziu
Kryeziu në një konferencë për media tha se Kosova më shumë u bë temë e këtij takimi në Uashington se sa që ishte palë.
“Duke qenë se ngjashëm sikurse herët e kaluara edhe në këtë proces e këto bisedime edhe njëherë u fol për çështje të brendshme të Republikës së Kosovës, ku edhe njëherë Kosova u bë temë se sa që ishte palë duke filluar nga fakti që në kuadër të këtij dokumenti Kosova është pajtuar që të bëjë shfrytëzimin e përbashkët të Liqenit të Ujmanit i cili është pasuri dhe pronë e Kosovës. Në anën tjetër u dakorduar që të suspendoj përpjekjet e saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare që është ndesh me vetë kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht nenit 17 dhe po ashtu është edhe kundër edhe vet deklaratës së Pavarësisë së Kosovës , përkatësisht pika 9 e cila synon që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare”, potencoi Kryeziu.
Tutje, Kryeziu ka komentuar edhe pikën e marrëveshjes që ka të bëjë me mini-shengenin, derisa e ka quajtur skandaloze se si nuk u fol për dëmet e luftës që shkaktoi Serbia.
“Për më tepër u dakorduan edhe për projektin e mini-shengenit që është ekskluzivisht një ide që i shkojnë më së shumti për shtati Serbisë, pavarësisht që ata që e nënshkruan këtë marrëveshje kanë qenë kundërshtarë të fuqishëm të kësaj ideje . kurse po ashtu pa asnjë çmim ia mundësuan përpjekjen historike Serbisë për dalje në Detin Adriatik duke i ofruar infrastrukturë rrugore e hekurudhore në këtë pikë. Po ashtu në këtë marrëveshje që u quajt për normalizimin e ekonomisë e që në fakt vetëm 4 ose 5 pikat e saj kanë lidhje me ekonominë. Nuk u përmenden për asnjë moment as dëmet e luftës e që është skandaloze në vetvete se si mund të ketë normalizim të ekonomisë pa adresimin e këtyre çështjeve”, theksoi Kryeziu.
Ndërsa pretendimet e mëhershme të Vetëvendosjes “thika mbi harta”, ai tha kjo marrëveshje lë hapësirë që edhe në të ardhmen e afër të ketë thika.
“Shqetësimi për mundësinë e shkëmbit të territoreve që është vetëm eufuizëm për ndarje të Kosovës është shqetësim i bazuar që nga koha e tashmë e dëshmuar me deklaratat e ndërmjetësit. Në procesin në Uashington Grenellit sikurse dhe Bollton. Shqetësimi ynë është i bazuar, kjo si ide e projekt ka ekzistu dhe nuk ka asnjë dëshmi që i njëjti nuk mund do të rikthehet duke qenë se negociata me Serbinë do të vazhdojnë, koncesionet të reja do të ketë. Evitimi i një dëmi të madh në një pikë të caktuar nuk e arsyeton dëmin tjetër po të njëjtin pikë. Fakti që kësaj radhe nuk u diskutua për territore nuk do të thotë që nuk është e dëmshme fakti që u diskutuar për Ujmanin për mini-shengenin për korridorin në Detin Adriatik për Serbinë dhe për suspendimin e shtetësisë sonë për të paktën një vit”, potencoi Kryeziu.
Kryeziu mes tjerash tha se Vetëvendosje e konsideron të dëmshme këtë marrëveshje dhe se do të vazhdoj ta kundërshtoj atë në çdo institucion që do të diskutohet, kjo pasi që siç theksoi Kryeziu se në këtë marrëveshje janë akomoduar dhe adresuar vetëm kërkesat e Serbisë në raport me Kosovën dhe jo edhe anasjelltas.
Ndërsa sa i përket takimit të 7 shtatorit në Bruksel, ai tha se edhe ky takim është i përcjellur me jo transparencë sikurse ai i Uashingtonit.