Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në Shtëpinë e Bardhë të premten në praninë e Presidentit të ShBA-së ka nënshkruar marrëveshje.
Njëra ndër pikat e kësaj ujdie është se Kosova do t’i bashkohet zonës së Mini-shengenit Ballkanik ku bëjnë pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Në nëntor të vitit të kaluar Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe Kryeministri aktual, Avdullah Hoti, kundërshtonin ashpër idenë e ”Mini-shengenit Ballkanik” .
I pari i LDK-së thoshte se në shikim të parë duken projekte atraktive, por në esencë çojnë në një Jugosllavi të re.
Tutje Mustafa thoshte se këto ide nuk i kanë përkrahur dhe as nuk do t’i përkrahin as në opozite e as në pozitë.
E Kryeministri i tanishëm, Avdullah Hoti, asokohe kishte listuar disa nga arsyet se pse ky projekt nuk është në interesin e Kosovës.
Arsyet sipas Hotit:
- Ia pamundëson Kosovës të vendosë kontrolle (tarifa, apo reciprocitet të plotë) për mallra që e çrregullojnë tregun e Kosovës, në radhë të parë ndaj Serbisë dhe Bosnjës si dy vende që nuk e njohin Kosovën dhe e pengojnë në çdo formë.
- Mundëson lëvizje të papenguar për zyrtarë serbë që vijnë në Kosovë për fushatë politike kundër shtetit të Kosovës, pa pasur mundësi të ndalen në kufi për shkak të “lëvizjes së lirë” pa leje paraprake që mundëson minishengeni.
- E de-faktorizon Kosovën politikisht dhe ekonomikisht në kontekst të marrëdhënieve rajonale, pasi marrëveshja nënkupton delegimin e fuqisë shtetërore në minishengen.
- Favorizon ekonomikisht shtetet e Ballkanit që kufizohen me shtete anëtare të BE-së përmes politikës së taksave, ndërkaq Kosova nuk ka asnjë kufi me BE-në.
- Krijon mundësi për invazion të mallrave nga Rusia dhe vendet e zonës ekonomike ruse për shkak se Serbia ka marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë.
- Si vendi me popullsinë dhe me ekonominë më të madhe në rajon, Serbia përmes kësaj ideje tenton ta mbajë sa më gjatë regjionin e Ballkanit jashtë Bashkimit Evropian, në pritje të krijimit të balanceve të tjera gjeopolitike me rol të shtuar të Rusisë.