Në 21 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka shpallur heronj të gjithë policët e rënë në krye të detyrës.
I pranishëm për të pranuar medaljen e heroit ishte edhe babi i policit të rënë, Malsor Dashit, Shemsedini.
Pasi e pranoi medaljen, ai mes lotësh përqafoi flamurin e Policisë së Kosovës dhe tha se djali i tij kishte planifikuar të bënte dasmë dy javë para se të vdiste.
Dy vite më parë, polici Malsor Dashi humbi jetë në një aksident trafiku në rrugën Kaçanik-Hani i Elezit. Ai ishte në detyrë bashkë me kolegun Armend Trena, kur vetura zyrtare e policisë përfundoi në lumin Lepenc, ndërsa trupat e tyre u gjetën pas disa ditësh kërkim.
Si Malsor Dashi në krye të detyrës ranë edhe 20 zyrtarë policorë tjerë.