Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në një takim shefin e Zyrës së BE-së, njëherësh përfaqësues special, Tomas Szunyog.
Osmani e ka uruar për marrjen e detyrës duke shfaqur besimin për vazhdimin bashkëpunimit ndërmjet të dy institucioneve.
Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend dhe u tha se Kuvendi i Kosovës nuk duhet të anashkalohet nga Qeveria e Kosovës në procesin e dialogut më Serbinë, ngase është institucioni me i lartë ligjvënës dhe mbikëqyrës në politikën e jashtme.
Osmani shprehu gatishmërinë që ky institucion të marrë rol më të madh në procesin e integrimeve evropiane, si një ndër proceset më të rëndësishme të shtetit të Kosovës.
Ajo ka kërkuar që BE-ja t`i përmbushë obligimet e saj, ngase Kosova tashmë ka plotësuar kriteret e parapara për liberalizim vizash. Në këtë kontekst, zonja Osmani ka thënë se sundimi i ligjit është prioritet dhe se kjo do të arrihet edhe në bashkëpunim me zyrën e BE-së në Kosovë.
Ndërkaq Szunyog ka thënë se Zyra e BE-së e rikonfirmon rekomandimin e Komisionit Evropian të vitit 2018, sipas të cilit Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizim, porse vendimi mbetet në kompetencë të shteteve anëtare të Këshillit të ministrave të BE-së.
Ai, gjithashtu tha se Kosova duhet të përkushtohet në përmbushjen e kërkesave që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, duke potencuar se BE-ja do të mbetet edhe mëtej partner i Kosovës në rrugëtimin e saj, thuhet në njoftimin e Kuvendit.