Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili edhe një herë i ka thyer rregullat për parandalimin e pandemisë së coronavirusit, shkruan Reporteri.net.
Ismaili i cili është sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, sonte ka marrë pjesë në një aheng ku është shoqëruar edhe nga zyrtari tjetër i lartë kësaj partie Sami Lushtaku. Ata kanë marrë pjesë në një aheng provat me rreth 20 persona. Por përvec rregullave të pandemisë ata kanë thyer edhe Ligjin Anti-duhan.
Dy zyrtarët e PDK-së, në dy fotografi që ka publikuar Sami Lushtaku në Facebook, shfaqen të ulur pranë njëri-tjetrit rreth një sofre me pije në rajonin e Gollakut, teksa janë argëtuar me muzikë folklorike me çifteli.
“Sonte në Gollak, bashkë me një pjesë të bashkëluftëtarëve të kësaj ane. Është kënaqësi e madhe sa herë jemi së bashku, për të kujtuar të kaluarën e popullit tonë si dhe për të këmbyer idetë për të tashmen dhe të ardhmen e shtetit”, ka thënë Sami Lushtaku, në një përshkrim lidhur me ahengun.
Pjesëmarrja e Lushtakut dhe Ismailit në këtë aheng, bie ndesh me pikën 7 të vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndërmarrjen e masave për parandalimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, të miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës më 28 korrik.
Sipas kësaj pike të vendimit të ekzekutivit, janë ndaluar të gjitha ahengjet private.
“Ndalohen të gjitha tubimet publike, duke i përfshirë ahengjet familjare private”, thuhet në pikën 7 të vendimit të Qeverisë së Kosovës për masat anti-COVID.
Kujtojmë se ditë më parë është raportuar edhe për një shkelje tjetër të rregullave të pandemisë nga ish-ministri i Shëndetësisë.
Ismaili kah mesi i muajit gusht bashkë, Memli Krasniqi, Uran Ismaili e Abelard Tahiri bashkë me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe ish-zyrtarin e PSD-së, Dardan Sejdiu, janë bashkuar në një tavolinë.
Me meze e këngë patriotike nga këngëtari, Nysret Muçiqi, dostat e PDK-së dhe PSD-së drejtuesit e PSD-së ia kanë krisur këngës e qejfit.
Në kohë pandemie, kur kërkohet që të mos ketë tubime, këta zyrtarë janë mbledhur bashkë.
Derisa ditën luten në respektim të masave kundër coronavirusit, në mbrëmje veprojnë krejt ndryshe, duke shkelur kështu apelin dhe rregullat që përmenden tash e sa herë nga IKSHPK-ja.