Fati i Qeverisë së re që do të formohet pas zgjedhjeve në Mal të Zi po del të jetë në duart e një shqiptari. Kjo pasi që koalicioni me të cilin ka garuar Dritan Abazoviç ka fituar 4 mandate. Abazoviq, që i ka vënë vënë vija të kuqe DPS’it të Gjukanovic, thekson se Qeveria e re nuk do ta ndryshojë kursin e politikës së jashtme, as çështjen e anëtarësimit në BE dhe se të gjitha obligimet ndërkombëtare do të vazhdojnë të zbatohen.
Katër deputetët që ka fituar koalicioni ku është edhe shqiptari i Malit të Zi Dritan Abazoviq janë jetik për secilën prej dy partive të para që do të provojë të krijojë institucionet e reja në Podgoricë.
Lufta kryesore se kush do ta marrë Abazoviçin po bëhet mes partisë së Milo Gjukanoviqit që ka dalë e para në zgjedhje dhe partisë së dytë e cila ka orientim pro-serb.
Megjithatë deri tani, Abazoviç ka dhënë indikacione se mund të bashkëpunojë me forcat pro-serbe dhe se gjasat për një koalicion me DPS-në e Gjukanoviqit janë shumë të vogla pavarësisht afërsisë ideologjike që kanë dy partitë.
Abazoviç ka thënë se për DPS-në e Gjukanoviqit s’do të ketë vend në “qeverinë e ekspertëve”, meqë sipas tij ish-qeverisja ka qenë e korruptuar.
Por pavarësisht këtyre diferencimeve të dy forcave të para, Abazoviç thotë se Mali i Zi nuk do të bëhet as “Sparta e Serbisë” e as e “Shqipërisë së Madhe”, shkruan Gazeta Express.
Për indikacionet që Abazoviç ka dhënë rreth bashkëpunimit me forcat pro-serbe ka marrë kritika e këshilla nga Kosova.
Njohësi i rrethanave politike dhe profesori universitar, Blerim Latifi, ka thënë se pavarësisht se Abazoviç është shqiptar, zemra e i rrah për mbaresën e mbiemrit.
Derisa në anën tjetër, Azem Vllasi, e ka këshilluar drejtuesin e “URA”, që të bëjë koalicion me partinë e Milo Gjykanoviqit, dhe të mos shkojë në bashkëqeverisje me partitë pro-serbe, pasi sipas Vllasit s’kanë synime e qëllime të njëjta.
Por kush është shqiptari, Dritan Abazoviç, dhe cili ka qenë rrugëtimi i tij drejt politikanit që do të vendos fatin e qeverisë malazeze.
Dritan Abazoviç është 34 vjeçar dhe ka doktoruar në shkenca politike, derisa ka notuar në ujëra politike prej 10 vjetësh. Që nga viti 2017, Abazoviç ka krijuar lëvizjen “URA”, me të cilën edhe ka garuar në zgjedhjet e fundit.
Ai ka lindur në Ulqin, ku edhe ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme, derisa më pas ka vazhduar studimet në Sarajevë, ku është diplomuar për Shkenca Politike, derisa gradën master e kishte fituar në Mal të Zi. Ndërkohë në vitin 2019 në Universitetin e Sarajevës kishte përfunduar doktoratën.
Karrierën politike e kishte nisur në vitin 2012 si një prej themeluesve të partisë politike “Positive Montenegro”. Në zgjedhjet e vitit 2012 partia e tij kishte fituar 7 ulëse prej 81, dhe Abazoviç ishte bërë deputeti më i ri në atë legjislaturë.
Pas ndarjes së partisë në vitin 2014, Abazoviç ishte larguar nga aty dhe kishte shërbyer si deputet i pavarur, përpara se të krijonte URA-në në vitin 2015.
Abazoviç nga serbët që jetojnë në Mal të Zi ishte kritikuar në vazhdimësi dhe ishte cilësuar si një “çetnik shqiptar”, derisa në karrierën e tij politike Abazoviç ishte bërë pjesë e një polemike të madhe kur në një intervistë kishte folur për prejardhjen e Skënderbeut.
Në media të ndryshme tashmë po qarkullon një videointervistë e vitit të kaluar ku Abazoviq ka folur për figurën e Skënderbeut. Kryesisht kjo intervistë ka dalë ne kontekst negativ, pasi thuhet se ai ka deklaruar se prindërit e Skënderbut janë serbë dhe se ai është kundër vendosjes së përmendores.
Por, Abazoviq ka thënë se është në favor të vendosjes së përmendores së Skënderbeut duke e quajtur personalitet pajtues që i ka luftuar otomanët. Abazoviq i ka thënë moderatorit se prindërit e Skënderbeut janë sllavë e serbë, vetëm nëse historia lexohet gabimisht
Shqiptari Abazoviç njihet si kritik i madh i pushtetit dhe i Milo Gjukanoviqit, ndërkohë është i njohur për idenë e tij për krijimin e të ashtuquajturës “qeveri ekspertësh”.
Deri më tani ende s’ka një pikturë të qartë se si do të duket qeveria e re në Mal të Zi, derisa frika se Abazoviç mund të bëhet bashkë me forcat pro-serbe për të çuar Gjukanoviqin në opozitë sa shkon e rritet.
Një lëvizje e tillë e Abazoviç po shihet si mjaft e rrezikshme, meqë mund të çojë Malin e Zi në një qorrsokak, në afërsi me Serbinë dhe Rusinë dhe largim nga rruga e integrimit euroatlantik