akuzuari për mashtrim, Anton Markaj, është deklaruar i pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore Pejë, dega në Istog.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Arlinda Nallbani-Gacaferri, i pandehuri Markaj ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për veprën që i vihet në barrë, duke shtuar se nuk ka të bëjë fare me rastin, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pasi që i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi Arben Mustafaj e ka caktuar seancën e radhës për 21 shtator 2020, nga ora 13:00.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 16 shkurt 2020, Anton Markaj akuzohet për veprën penale “mashtrimi”, nga neni 323 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria pretendon se i pandehuri më 22 prill 2019, në fshatin Gurrakoc të Komunës së Istogut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, e ka mashtruar të dëmtuarin Ramiz Bajramaj, duke e nxitur atë që të kryej veprim në dëm të pasurisë së tij.
Sipas aktakuzës, i pandehuri rrejshëm i ka thënë të dëmtuarit, se në qoftë se paguan shumën prej 800 euro, shoqes së tij Shemsije Bajramaj do t’ia kryej testin e gjuhës gjermane për vizë në ambasadën e shtetit të Gjermanisë.
Në aktakuzë thuhet se, i dëmtuari të pandehurit fillimisht ia jep shumën prej 100 euro për kursin e gjuhës gjermane, 400 të tjera për garantimin e suksesit, e më pas edhe 400 të tjera pas përfundimit të testit, mirëpo siç thuhet aty, edhe përkundër kësaj, shoqja e të dëmtuarit nuk e kalon testin, për çka edhe i pandehuri nuk u lajmërohet më atyre.