Sipas rezultateve të para të numërimit të votave në Mal të Zi dhe ndarjes së mandatave, partia DPS e Milo Gjukanoviqit do t’i ketë 29 deputetë, koalicioni “Për të ardhmën e Malit të Zi” 27, “Paqja është kombi ynë” 10 mandate, “Bardhë e zi” katër.
Nga tre deputetë do t’i kenë Socialdemokratët dhe Partia Boshnjake, nga dy deputetë Lista Shqiptare dhe SDP dhe Koalicioni Shqiptar njëzëri një deputet, shkruan Ballkani.info.
Pra, sipas rezultateve preliminare, shqiptarët në Parlamentin e Malit të Zi do t’i kenë tre deputetë.
Sipas vlerësimeve të para, lista DPS – Përcaktuar për Malin e Zi e Milo Gjukanoviq ka 34.2 për qind dhe koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” 33.7 për qind.
Koalicioni “Paqja është kombi ynë” ka 12.6 përqind, “Bardh e zi” pesë përqind, Partia Boshnjake 4.4 përqind, Social Demokratët 4.3, SDP – Mali i Zi i fortë tre përqind, Koalicioni Shqiptar Njëzëri 1.1 përqind, Lista Shqiptare 1.4 përqind, HGI 0.2 përqind.
Sipas CEMI, rezultatet duhet të merren me një rezervë pasi një përqindje e mjaftueshme e mostrës nuk është përpunuar ende.
Përfaqësuesja e Qendrës për Monitorim dhe Kërkim, Maja Bjeliq, tha se ekipi juridik CEMI pranoi më shumë se 660 raportime për parregullsi gjatë zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi që u mbajtën sot.