Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka shprehur keqardhje për fillimin e vitit të ri shkollor me dy javë vonesë.
Sipas tij shtyrja e procesit mësimor nuk ka qenë vendim i lehtë.
Ai po ashtu, iu k bërë apel prindërve që t’iu flasin sa më shumë fëmijëve të tyre për rëndësinë e bartjes së maskave dhe ruajtjes së distancës.
Hoti iu drejtua edhe mësimdhënësve duke kërkuar që kohën deri më 14 shtator kur do të fillojë mësimi ta shfrytëzojnë për përgatitje të shkollave për ruajtjen e shëndetit të tyre dhe nxënësve kur të kthehen aty.
Postimi i plotë:
Të nderuar nxënës dhe prindër,
Lajmi për mos fillimin e mësimit deri më 14 shtator nuk ju ka gëzuar, përkundrazi. Nuk ka qenë e lehtë të marrim një vendim të tillë. Por, shëndeti i juaj dhe i prindërve e gjyshërve tuaj na detyron të jemi të kujdesshëm.
Na duhet disiplinë e përgjegjësi individuale e kolektive për të tejkaluar së bashku këtë situatë. Kjo sfidë, që tashmë është shndërruar në betejë, nuk mund të fitohet vetëm nga mjekët dhe nga institucionet. Duhet të rreshtohemi bashkë, njëri krah tjetrit, për t`i bërë ballë virusit tash kur po ofrohet vjeshta.
14 shtatori është afër. Shumë kush do të thotë se për këto dy javë nuk do të fitojmë asgjë, por gabohen. Kur të gjithë së bashku pranojmë të vihemi në shërbim të shëndetit të fëmijëve tanë, mund t`i bëjmë lak së keqes duke e evituar atë.
Në këto ditë që kemi përpara, si prindër duhet të flasim shumë me fëmijët tanë për rëndësinë që ka të mbajturit e maskës dhe distancës edhe atëherë kur vrulli fëmijëror kërkon që rregulli të thyhet. Duhet t`u bëjmë me dije fëmijëve tanë se ata duhet të kujdesen për shëndetin e tyre dhe tonin. Duhet ta kuptojnë këtë si mision.
Në anën tjetër çdo mësimdhënës, punëtor shkolle e përgjegjës institucional duhet ta përdorë këtë periudhë dy javore për të bërë të gjitha përgatitjet në shkollë që shëndeti i fëmijëve të mbrohet.
Unë jam optimist se ne kemi zgjuarsinë dhe dashurinë për fëmijët për të përballuar me sukses kthimin e tyre në shkollë dhe në shoqërim me njëri-tjetrin.