Fatmir Elezi – Shef i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, theksoi se të shtunën, në orën 10:00, do të fillojë testi i maturës në të gjitha shkollat e Kosovës.
Ai ka thënë në një lidhje direkte në Interaktiv të KTV-së se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet paraprake, kurse rezultatet nxënësit do t’i marrin më 7 shtator.
“Përgatitjet janë bërë sepse testi ishte planifikuar fillimisht më 4 korrik. Shtyrja e testit ndodhi për shkak të rrethanave me pandeminë dhe me kërkesë të IKSHPK-së. Tash kemi zvogëluar numrin e nxënësve nëpër klasë. Nxënësit duhet t’i mbajnë maskat”, tha ai.
Ka shtuar gjithashtu se kanë marrë edhe një donacion nga ambasada amerikane për pajisje me maskë e dezinfektues për nxënës.
“Sa i përket shkollave ku do të mbahet testi – kemi pasur takime me drejtoritë komunale që edhe e kanë bërë dezinfektimin, përgatitjet janë bërë të gjitha nga drejtoritë komunale”, tha Elezi.
Ai shtoi se nga 12 nxënës do të jenë nëpër klasë kur do të mbahet testi.
“Përgatitje teknike të qendrave të testimit janë bërë nga drejtoritë komunale dhe përparësi ka qenë që ende s’ka filluar mësimi. Hapësirat janë të mjaftueshme. Hapësirat janë në përputhje me numrin e nxënësve”, shtoi ai.
Nga aspekti përmbajtësor, tha Elezi, ka pak ndryshime prej viteve të kaluara.
Vitet e fundit kanë hyrë në test në 2 ditë.
Në ditën e parë, kanë qenë lëndët e përgjithshme – gjuhë amtare dhe gjuhë angleze e në ditën e dytë matematikë dhe lëndë zgjedhore.
Gjithsej kanë qenë nga 50 pyetje.
“Këtë vit do të përgjysmohet vetëm numri i pyetjeve. Çdo lëndë ka nga 25 pyetje. Testi planifikohet të fillojë në orën 10:00 në të gjithë Kosovën”, tha ai.
Elezi tha se testi mat aftësitë e nxënësve që kanë fituar gjatë shkollës së mesme.
“Përmbajtja do të jetë nga tri vitet e fundit të shkollës së mesme”, tha Elezi, duke shtuar se nuk do të përfshihen mësimet që i kanë marrë në periudhën online gjatë pandemisë.
Ai shtoi se nëse nxënësit do të zihen me telefona gjatë testimit, do të përjashtohen.
Testi i ka 100 pyetje dhe duhen 40 për qind të sakta, tha Elezi, duke shtuar se rezultatet do të publikohen më 7 shtator. Shtoi se ekziston mundësia që edhe të publikohen online në faqe të Ministrisë së Arsimit.