Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka bërë kërkesë për Qeverinë dhe MASH-in, shtyerjen e vitit shkollor për dhjetë ditë, derisa sipas tyre, shkollat të plotësojnë udhëzimet qe kërkohen nga IKSHPK-ja.
Në takimin e mbajtur nga distanca, një numër i madh i pjesëmarrësve, kanë deklaruar se shkollat ende nuk janë përgatitur për të nisur vitin e ri shkollor, sipas kushteve të parapara për masat mbrojtëse.
Më poshtë njoftimi i plotë:
Pjesa më e madhe e shkollave ende nuk është dezinfektuar, dhomat e mësimit nuk janë pajisur me dezinfektues për duar, nuk janë siguruar maskat mbrojtëse për personelin arsimor, nuk është përgatitur lista e mësimdhënësve rezervë për të zëvendësuar mësimdhënësit e sëmurë e as nuk është shpallur ndonjë thirrje për konkurs për mësimdhënës vullnetar, nuk janë përgatitur dhomat e mësimit për të siguruar distancën e duhur sociale, por nuk janë bërë edhe përgatitje të tjera brenda ambienteve shkollore”
1. Të pajisen shkollat me dezinfektues,
2. Të caktohen persona përgjegjës, po jo mësimdhënësit , për matjen e temperaturës së nxënësve,
3. Të ketë personel mjekësor kujdestar së paku në shkollat që kanë më shumë se 500 nxënës,
4. Të sigurohen maska dhe mjete mbrojtëse për punëtorët arsimor,
5. Të ketë lista të mësimdhënësve rezervë,
6. Të lëshohen vendime për lirimin e përkohshëm nga procesi mësimor të punëtorëve arsimor të sëmurë dhe ata të vazhdojnë të marrin paga gjatë gjithë kohës së pandemisë,
7. Të krijohen mundësi për kryerjen e testit për Covid të personelit arsimor,
8. E-shkollori dhe nisma për ditarët digjital të implementohet pas pandemisë Covid-19.
Këto janë disa nga kërkesat e domosdoshme që duhen plotësuar.