Pa kaluar as një vit që kur u emërua në krye të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, drejtori i AKI-së, Kreshnik Gashi ka arritur ta shlyejë në total kredinë dhe një borxh që do të duhej ta paguante për dy vjet.
Gashi kishte deklaruar 14 mijë euro borxhe, prej tyre 8 mijë huamarrje për shtëpi, ndërsa 6 mijë euro kredi. Sivjet, ai nuk ka deklaruar asnjë detyrim financiar
Pjesa tjetër e pasurisë së Gashit nuk ka ndryshuar shumë. Ai ka deklaruar 405 mijë euro pasuri të paluajtshme. Ka një shtëpi në vlerë 350 mijë euro, një truall 20 mijë euro dhe një tokë 35 mijë euro.
Gashi dhe bashkëshortja e tij kanë dy vetura. Derisa vjet kishte deklaruar se posedon veturë 16 mijë euro, sivjet Gashi ka deklaruar se ajo është pronë e bashkëshortes së tij. Ndërsa vetura në vlerë prej 5 mijë eurosh, e cila kishte thënë se është e gruas, tani ka deklaruar se ajo është në pronësi të tij.
Kreu i AKI-së e kishte deklaruar pasurinë një muaj pas emërimit në krye të inteligjencës, ndërsa nuk e ka deklaruar pagën që e merr si drejtor i institucionit më të lartë të sigurisë në vend.
Ai i ka deklaruar vetëm të hyrat nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ku kishte mbajtur pozitën e kryetarit përpara se të emërohej si derjtori i AKI-së. Paga e tij në ARKEP e ka prekur shumën e 18,600 eurove në vit. Paga e bashkëshortes, si pjesë e Policisë së Kosovës prek shumën e 7,370 eurove ndërsa ka deklaruar se merr 3,250 euro nga kompania “Crossroads”, që është në emër të saj nga viti 2007.
Gashi ka deklaruar se posedon para të gatshme kesh, 25,700 euro, ku hyjnë paratë e bashkëshortes të tij (1,000) dhe të fëmijëve (2,700).
Kreshin Gashi u emërua drejtor i AKI-së më 25 nëntor të vitit të kaluar nga kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj.