Haki Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se takimi i paraparë të mbahet në fillim të shtatorit në Washington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të dështojë.
Ish- zëvendëskryeministri Abazi ka përmendur disa arsye se pse ky takim duhet të mos mbahet.
“Ashtu siç ka dështuar takimi i qershorit, duhet të dështojë edhe ky i shtatorit, sepse janë disa tregues të cilët e bëjnë të domosdoshëm mosmbajtjen e takimit në Washington. Është fushata elektorale dhe gjuha ndërmjet kandidatëve dhe dy kampeve republikane dhe demokrate. Në asnjë formë ne nuk do duhej të bëhemi material elektoral. Nuk është duke u bërë dialog me ndërmjetësimin e Amerikës, është duke u bërë dialog e tentim më nënshkruar një marrëveshje për të cilën realisht nuk ka elemente se për çfarë po bëhet fjalë, ku mungon transparenca plotësisht, me një grup të njerëzve që kanë treguar interesim për të qenë fytyrat e një procesi të një marrëveshje e cila nuk garanton njohjen e pesë vendeve të BE-së dhe votën e Rusisë për anëtarësim në OKB”.
Ndryshe takimi i paraparë të mbahet në fillim të shatorit, është përfolur se do të jetë një takim ku do të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
Por, për Abazin këtu kemi të bëjmë me një dialog paralel, ku temë do të jetë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, si dhe resurset shtetërore siç janë Trepça dhe Ujmani.
“Sa më shumë që i ofrohemi kësaj date vërehet që kemi të bëjmë me një dialog paralel, do të vihet në pyetje Asociacioni, të jetë një element që hapë shumë drejtime për dialogun, e në fund sikur në çdo konflikt tjetër të ngrirë flitet për resurse ekonomike siç janë Trepça dhe Ujmani. Krejt kjo e bënë në mënyrë të fragmentuar bisedën në Washnigton dhe dialogun në Bruksel. Ky kryeministër që nuk ka legjitimitet fare nuk mund të jetë përfaqësues në këto bisedime”, është shprehur Abazi.
Abazi ka thënë se ata janë për një dialog mes dy shteteve të barabarta dhe me agjendë të qartë për përfundimin e këtij procesi.
“Nuk është mosbesim ndaj SHBA-së , por kërkesë për të pasur qartësi të plotë ku po shkon proces në BE dhe në Washnigton, dhe se kemi kërkuar që këto dyja të bëhen bashkë në një vijë të plotë në interes të vendit”,është shprehur Abazi.
Ai ka folur edhe për dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, që sipas tij, nuk ka qenë i shtruar në mënyrë të drejtë. Sipas Abazit në këtë proces Kosova nuk është trajtuar e barabartë dhe më shumë është folur për temat e brendshme të Kosovës.
Për anëtarin e Vetëvendosjes nuk mund të shmangen temat si dëmet e luftës, fatin e të pagjeturve në këtë proces dialogu.
“Dialogu duhet të bëhet mes dy shteteve të barabarta i përgatitur mirë, që nuk është shtruar në këtë formë as nga BE. Nuk duhet të ketë qëndrim neutral të BE-së karshi Kosovës”.
Ndryshe takimi në Washington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte planifikuar të mbahet më 2 shtator, por i cili me gjasë do të shtyhet për dy ditë, më 4 shtator.