Policia italiane dha sonte rezultatin e hetimeve të vdekjes së kobshme të nënë e bir të gjetur në pyll një ditë më parë, duke thënë se në gjendje të trazuar spikologjike Viviana Parisi ka vrarë të voglin e saj 4-vjeçar Gioele, dhe më pas është ngjitur në një shtyllë elektrike për t’u hedhur në tokë nga rreth 15 metra lartësi.
Trupi i gruas ishte gjetur rreth tre metra larg shtyllës kështu që hipoteza e hershme e vrasje-vetëvrasjes gjeti konfirmimin tragjik nga autoritetet.
Në hetimet e mjekësisë ligjore dhe të policisë konfirmohej “përputhja e lëndimeve të shkaktuara nga rënia”, megjithëse trupat e viktimave ishin gjymtuar nga kafshët e egra.
Policia zbuloi gjithashtu gjurmët e saj të gishtërinjve në shtyllën elektrike dhe thanë se së shpejti do të arrijnë në rezultatin se kur ka ndodhur ngjarja bazuar në efektin e faktorëve natyrorë mbi mbetjet e trupave.
Parisi kishte punuar si ‘DJ’ dhe së fundmi raportohej për përkeqësim të gjendjes emocionale prej izolimit të koronavirusit. Ditën e zhdukjes ajo kishte braktisur makinën në autostradë pas një aksidenti relativisht të vogël, dhe ishte larguar bashkë me të birin drejt pyllit.
Ajo vuante gjithashtu nga një çrregullim mendor bipolar. Trupat e tyre u zbuluan vetëm dje nga autoritetet, dy javë pas zhdukjes.