Gjatë ditës së djeshme, ka vdekur një 33 vjeçar nga fshati Xërxë i Rahovecit, i cili ka qenë i infektuar me COVID-19.
Ai është në mesin e viktimave më të reja nga Covid-19 në Kosovë.
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, gjatë ditës së djeshme ka publikuar identitetin dhe fotografinë e të ndjerit, duke e kujtuar si djalë me vlera të larta njerëzore.
Ai kishte rezultuar pozitiv me koronavirus më 9 gusht. Po ashtu në familjen e tij, edhe tre pjesëtarë janë të prekur me coronavirus.
Ndryshe, ditëve të fundit vërehet një rënie e lehtë e rasteve të reja me COVID-19 në Kosovë, megjithatë, numri vazhdon të mbetet ende shqetësues.
Vetëm gjatë ditës së premte, pozitivë me COVID-19 rezultuan 162 persona, ndërsa 10 persona humbën jetën.