Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se para tri ditëve kishte pranuar njoftimin për një kërkesë nga ambasada e Kosovës në SHBA, të nënshkruar nga 25 veprimtarë shqiptarë, për të marrë pjesë në një takim virtual të përbashkët me krerët e institucioneve shtetërore e të partive politike, për të diskutuar perspektivën e strategjitë e veçanta e të përbashkëta të subjekteve kosovare në lidhje me procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti ka thënë se e ka refuzuar këtë ftesë për arsye se sipas tij një takim i tillë do të legjitimonte një proces i cili po zhvillohet tërësisht në mungesë të respektit për qytetarët, institucionet dhe demokracinë e Kosovës.
“Përveç kësaj, si mund të marrim pjesë në një takim të përbashkët me një figurë si presidenti i Kosovës, i cili vetë mbështet një plan krejt tjetër, për ta paguar Serbinë me copëtim të Kosovës nën petkun e shkëmbimit territorial? Ne nuk mendojmë se Kosova i ka borxh Serbisë diçka, dhe nuk dëshirojmë që përmes pjesëmarrjes në takime të zbusim sado pak mungesën e legjitimitetit të atyre që kanë delegjitimuar vetveten. Njohja e Kosovës nuk është diçka që ne mund ta blejmë, atë mund ta fitojmë duke ndërtuar e forcuar shtetin, ekonominë dhe demokracinë”.
Kurti ka theksuar se për ta është problem edhe pjesëmarrja në një takim me një kryeministër i cili sipas tij nuk gëzon as legjitimitet demokratik e as autoritet popullor.
“Dobësia e tij do të shndërrohet në dobësi të Kosovës nëse nuk veprojmë ashtu siç duhet e nëse procesin nuk e udhëheq subjekti e personi që fiton zgjedhjet e lira dhe demokratike që duhet të mbahen sa më shpejt. E si vërejtje shtesë, duke qenë se në ShBA ka filluar tashmë para-fushata elektorale, një takim i tillë i gjithë subjekteve politike të Kosovës do të mund të intepretohej si mbështetje gjithëpartiake në Kosovë, për një proces që ka mbështetje vetëm njëpartiake në ShBA”.
“Presidenti i Kosovës, Thaçi, u përzie në zgjedhjet amerikane të 2016, kundër Donald Trump-it, e tash po përzihet në zgjedhjet e 2020 kundër Joe Biden-it. Të dyja herët, ka vepruar gabim, dhe e ka dëmtuar Kosovën. Mund të përfshihen në fushata krerët e partive, që mbështesin partitë me ideologji të ngjashme, por në asnjë mënyrë nuk bën të përfshihen krerët institucionalë shtetërorë, sepse është kundër parimeve elementare të diplomacisë e demokracisë. Tradita e historia e marrëdhënieve të Kosovës me ShBA na kanë mësuar që mbi të gjitha ta respektojmë politikën amerikane për ne si dakordësi bipartizane”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.