Me ftesë të Institutit Nacional për Demokraci (NDI) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Liderëve, i cili sivjet u organizua virtualisht për shkak të pandemisë COVID-19.
Ky forum ndërkombëtar po organizohet përgjatë javës së Konventës së Partisë Demokratike, nga 17-21 gusht.
Gjatë këtyre ditëve, kur janë ftuar liderë institucionesh e partish politike nga vende të ndryshme të botës, pjesëmarrësve u drejtohen figura të rëndësishme të politikës amerikane, gazetarë, ekspertë e komentatorë, për të diskutuar tema të zhvillimeve politike kombëtare e ndërkombëtare.
Sivjet, temat kanë përfshirë rolin e SHBA-ve në politikën e jashtme, avancimin e rolit të gruas në politikë dhe vendimmarrje, mbrojtjen e demokracisë nga dezinformatat etj.
NDI fton liderë ndërkombëtarë për këtë forum që nga viti 1984. Sivjet forumi është hapur nga ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e cila njëkohësisht e udhëheqë NDI-në.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani-Sadriu, ka falënderuar Institutin Nacional për Demokraci dhe presidentin e saj, Derek Mitchell për ftesën, si dhe ka vlerësuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në veçanti rolin kyç që ka luajtur NDI në avancimin e demokracisë në Kosovë.