Rektorët e Universiteteve Publike të Kosovës janë takuar më 14 gusht për të diskutuar rreth nisjes së ligjëratave nga 1 tetori
Në këtë konferencë kanë marrë pjesë rektorë të shtatë Universiteteve Publike, nga të cilët është theksuar gatishmëria e fillimit të vitit akademik më 1 tetor.
“Për shkak të ruajtjes së shëndetit publik, viti akademik do të fillojë në formë të kombinuar: në formën virtuale dhe fizike. Derisa , disa nga aktivitetet e procesit mësimor do të vazhdojnë të bëhen në formën fizike, si provimi pranues për studentët e rinj, provimet, etj., po në të gjitha rastet universitetet publike do të respektojnë masat Anti-Covid 19. Ndërsa disa aktivitete të tjera, si ligjërata, konsultime, punime seminari etj. do të vazhdohen në formatin online”, thuhet në njoftimin e Rektoratit.
“Konferenca e Rektorëve konstaton se si rrjedhojë e shtyrjes së Provimit të Maturës për 29 gusht 2020, studentët e vitit të parë do të pranohen me vonesë dhe mësimi për ta do të fillojë me një vonesë deri në dy muaj. Pavarësisht nga kjo, Konferenca e Rektorëve angazhohet që semestri për këta studentë të jetë i plotë dhe pa asnjë dëmtim të rrjedhës normale të procesit mësimor”, thekson njoftimi.