Anëtari i Kombëtares së Greqisë, Charalampos Mallios është prezantuar si lojtari i ri te kampioni i Kosovës në hendboll, Besa nga Peja.
Zyrtarizimi i tij është bërë nga skuadra pejane më anë të një njoftimi në llogarinë e tyre në rrjetet sociale.
Greku Mallios pritet të sjell përvojën e madhe në radhët e kampionit kosovar për garat evropiane që ky ekip do t’i ketë në muajt e ardhshëm.
Më poshtë postimi zyrtar i KH Besës:
“Te më e mira vijnë vetëm më të mirët…
Hendbollisti më i mirë i Greqisë, Charalampos Mallios, është hendbollist i ri i klubit tonë.
Mallios sjell në skuadër përvojën e gjatë dhe shumë të suksesshme. Prej tij presim kontribut të madh për të bërë hapa para në skenën evropiane. Natyrisht edhe për të vazhduar dominimin në skenën vendore.
Mallios ka bërë karrierë të suksesshme në Greqi, Gjermani e Turqi. Tani është pjesë e Besa Famgas.
Mallios ka shumë paraqitje edhe për Greqinë. Është bartës i lojës së saj. Në njërën prej fitoreve më të mëdha të Greqisë, ndaj Maqedonisë dy vite më parë, lojtari ynë i ri ishte i pandalshëm. Kishte shënuar plot nëntë gola, më shumë se legjenda Kiril Lazarov.
Me Malliosin në përbërje kemi edhe një lojtar me përvojë dhe ngadalë po e kompletojmë skuadrën për edicionin e ri.
Por te skuadra kampione risitë nuk përfundojnë asnjëherë…”.