Ministri izraelit për Inteligjencë, Eli Cohen, tha se Omani dhe Bahrejni mund të jetë shtetet e ardhshme të Gjirit Persik që mund ta ndjekin shembullin e Emirateve të Bashkuara Arabe për vendosjen e raporteve me Izraelin.
“Pas kësaj marrëveshjeje (me Emiratet), do të vijnë marrëveshje shtesë, edhe me shtete të Gjirit, edhe me shtete myslimane në Afrikë”, tha ministri Cohen për Radio Army.
“Mendoj se Bahrejni dhe Omani janë përfundimisht në agjendë. Për më tepër, sipas vlerësimit tim, ka gjasë që tashmë vitin e ardhshëm të ketë marrëvehje të paqes me shtete të tjera në Afrikë, në mesin e tyre Sudani”, shtoi ai.
Omani dhe Bahrejni e kanë përshëndetur marrëveshjen mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ndonëse asnjëri vend nuk ka komentuar për pozicionin e vet për normalizimin e marrëdhënieve me shtetin izraelit.
Në dy vjetët e kaluar, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është takuar me liderët e Omanit dhe Sudanit, shkruan Reuters.
Një zyrtar i lartë amerikan tha të premten se Shtëpia e Bardhë ka qenë në kontakt me disa shtete në rajon, duke u përpjekur të shohë nëse mund të arrihen më shumë marrëveshje.
Ky zyrtar refuzoi t’i tregonte emrat e shteteve, por tha se ato janë vende arabe dhe myslimane në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.