Shërbimi telefonik ndërmjet Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit ka filluar të punojë të dielën pasi të dyja vendet nisën lidhjet diplomatike.
Kjo marrëveshje është ndihmuar që të arrihet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kërkuan nga Izraeli të ndalojë planin për të aneksuar tokën e Bankës Perëndimore, shkruan New York Times, transmeton Klan Kosova.
Gazetarët e Associated Press nga Jerusalemi dhe Dubai kanë qenë në gjendje ta telefonojnë njëri tjetrin, si nga telefonat fiks, ashtu edhe nga celularët.
Kujtojmë se të enjten (13 gusht, 2020), Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara e kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët ku kanë njoftuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar këtë marrëveshje si përparim historik në diplomaci që do ndikojë në shtrirjen e paqes në rajonin e Lindjes së Mesme.
“Të tre vendet përballen me shumë sfida të përbashkëta dhe do të përfitojnë reciprokisht nga arritja historike e sotme”, shkruan në deklaratën e përbashkët.
“Delegacionet nga Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të takohen në javët e ardhshme për të nënshkruar marrëveshje bilaterale në lidhje me investimet, turizmin, fluturimet direkte, sigurinë, telekomunikacionin, teknologjinë, energjinë, kujdesin shëndetësor, kulturën, mjedisin, krijimin e ambasadave reciproke, dhe fusha të tjera me përfitim të ndërsjellë”.
“Hapja e lidhjeve të drejtpërdrejta midis dy prej shoqërive më dinamike të Lindjes së Mesme dhe ekonomive të përparuara do të transformojë rajonin duke nxitur rritjen ekonomike, duke rritur inovacionin teknologjik dhe duke krijuar marrëdhënie më të ngushta midis njerëzve”.
Lidhur me këtë marrëveshje, Klan Kosova ka zhvilluar edhe një intervistë me drejtorin e NDI për Lindje të Mesme, Arianit Shehun.
Ai ka vlerësuar se marrëveshja përfundimtare e arritur së fundi mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, është rrugë që duhet ndjekur nga shtetet e ndryshme sovrane.