Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka thënë se është duke kompletuar informacionet rreth ngjarjes së fundit në Karaçevë dhe pastaj do të raportojë para deputetëve në Komisionin për Siguri apo edhe në seancë.
Veliu ka thënë janë në pritje te mbajtjes së mbledhjes së Këshillit te Sigurisë Kombëtare në të cilën do të diskutojnë këtë çështje.
Ministri i Brendshëm ka theksuar se patrullimet e Policisë së Kosovës të sinkronizuara me KFOR-in në atë zonë do te nisin sapo te koordinohen veprimet me drejtorin e policisë.
“Unë jam duke e kompletuar informacionin në tërësi se çka ka ndodh në Karaçevë, e kam pas një takim me komandantin e KFOR-it me të cilin e kam diskutuar situatën dhe i kam marrë informacionet e drejtpërdrejta nga ai, jemi në pritje të një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në të cilën do ta diskutojmë situatën e krijuar dhe çka ka ndodh në Karaçevë, dhe pas kompletimit të të gjitha informacioneve unë sigurisht do të raportoj në komisionin parlamentar por nëse është nevoja edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Veliu.
Veliu ka thënë se komandanti i KFOR-it e ka pranuar kërkesën e tij që Policia e Kosovës të patrullojë e sinkronizuar me KFOR-in në atë zonë por që ka mbetur të diskutohet për veprim me drejtorin e PK-së.
“Në takim me komandantin e KFOR-it kam kërkuar që patrullimet e njëjta të sinkronizuara dhe të tjera sikurse bëhen me forcat serbe të bëhen edhe me Policinë e Kosovës, komandanti i KFOR-it e ka pranuar me kënaqësi kërkesën time dhe ka mbetur për t’u diskutuar edhe me drejtorin e policisë për detaje të veprimit”, tha ai.
Ndërsa lidhur me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për interpelancë, Veliu ka thënë se nuk e ka ende një ftesë të tillë.
“Nuk kam informacion që kam ftesë për interpelancë ende, e kanë diskutuar mundësinë e interpelancës sepse e kam pas një ftesë nga komisioni parlamentar sikur sot për nesër ndërsa agjenda ime ka qenë e paracaktuar dhe kam pas një takim të rëndësishëm pra me kanë bërë ftesë pa u koordinuar me mua dhe ka qenë e pamundur të jem prezent në komision atë ditë”, tha ai.
Këto komente Veliu i ka bërë nga Peja ku ka qëndruar për vizitë në kabinetin e kryetarit, shtabin emergjent dhe stacioni e policisë në këtë komunë.