Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër tre personave me inicialet B.G., M.P. dhe A.I., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale shpëlarje e parave.
I pandehuri B.G., gjatë vitit 2012-2014, në vazhdimësi, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë se pasurisë se përfituar në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që kjo pasuri e kundërligjshme të duket si e ligjshme, paratë në shuma të mëdha të cilat i ka përfituar nga shitblerja e duhanit, në mënyrë të kundërligjshme i ka deponuar dhe transferuar në firma ndërkombëtare.
Po ashtu, ai nga llogaria e tij rrjedhëse individuale ka realizuar transaksione në vlera të ndryshme.
Gjithashtu, të pandehurit B.G dhe M.P., në bashkëveprim gjatë vitit 2012, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë se përfituar, në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që kjo pasuri e kundërligjshme të duket e ligjshme, duke përfituar mjete materiale në shuma të mëdha, të cilat i ka përfituar i pandehuri B.G., në mënyrë të kundërligjshme, kanë vepruar së bashku, në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri, M.P., duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit B.G., ka hapur llogari individuale dhe ka deponuar shuma të ndryshme të mjeteve materiale të cilat ia kishte dhënë i pandehuri B.G.
Ndërkaq, të pandehurit B.G dhe A.I., në bashkëveprim gjatë vitit 2012-2014, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë të përfituar në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim që kjo pasuri e kundërligjshme të duket e ligjshme, duke përfituar mjete materiale të cilat i ka përfituar i pandehuri B.G., në mënyrë të kundërligjshme nga shitblerja e duhanit kanë vepruar në atë mënyrë që, fillimisht i pandehuri A.I., duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit B.G., ka hapur llogari individuale dhe ka deponuar shuma të ndryshme të mjeteve materiale, të cilat ia kishte dhënë i pandehuri B.G., dhe nga llogaria e vet, llogari individuale fillimisht ka deponuar shuma të ndryshme të mjeteve materiale.