Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka thënë se ka një plan për të ndërtuar një urë mes Irlandës së Veriut dhe Skocisë pasi që Britania të dalë nga Bashkimi Europian.
“Ajo do të kushtonte vetëm 15 miliardë funta”, ka thënë ai.
Johnson ka kërkuar nga zyrtarët që të shikojnë kostot dhe rreziqet e ndërtimit të kësaj ure me gjatësi 28 milje përgjatë Detit Irlandez, transmeton Gazeta Express. Kryeministri ka kërkuar nga zyrtarët të ekzaminojnë edhe mbledhjen e fondeve dhe kalkulimin e rreziqeve, njëra prej të cilave është edhe ndërtimi i urës përmbi bomba të paeksploduara të hedhura gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ai mendon se ndërtimi i një ure që do lidhë këto dy vende mund të ndihmojë në përmirësimin e marrdhënieve brenda Britanisë pas një ndarje të madhe në vend që erdhi si pasojë e procesit të Brexitit. Irlanda e Veriut dhe Skocia kanë votuar që të qëndrojnë brenda bllokut, derisa e para po përballet me mundësinë e një ndërtimi të pikave kufitare me Irlandën që mund të dëmtojë bizneset dhe të shkaktojë prishje të paqes.
Kjo ide e kryeministrit britanik ka marrë shumë kritika.
“Shumë ura të gjata janë ndërtuar, por asnjë përgjatë një pellgu me ujë kaq të gjerë, të thellë dhe me dallgë të fuqishme”, ka thënë inxhinieri James Duncan nga Edinburgu.
“Përgjatë një pjese të madhe rruga përshkon thellësinë e 300 metrave. Kjo do kërkonte diku 30 kulla mbështetëse të gjata gati 400 metra që të mbanin rrugën përmbi nivelin e ujit dhe thellësinë e detit. Në total ura do ëkrkonte 54 kulla të gjatësive të papara ndonjëherë”.