Në tre ka shkuar numri i të vdekurve nga koronavirus në Policinë e Kosovës.
Mirëpo, rast i dhimbshëm ishte para 3 ditësh kur institucioni i sigurisë mori informacionin se ka ndërruar jetë policja kosovare, e cila ishte në pritje për tu bërë nënë.
Indeksonline mëson se e ndjera për një kohë u trajtua në Kralevë të Serbisë, derisa nuk arriti ta fitojë betejën ndaj Covid-19.
Policja shtatzëne shërbeu për një kohë të gjatë në Stacionin e Policisë në komunën e Shtërpcës. Varrimi i saj u bë të shtunën në mesdite.
Ndryshe, zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani ka konfirmuar rastet e vdekjes në institucionin që punon ai.
“Po, 3 zyrtarë deri më tani kanë humbur jetën të cilët kanë qenë të prekur edhe nga Covid-19”, është shprehur ai.